Në Komunën e Gjilanit kanë nisur kontrollet sistematike shëndetësore për nxënësit e klasave parafillore, të klasës së parë dhe të pestë, në kuadër të kujdesit institucional për shëndetin e fëmijëve.
Fillimin e këtij procesi e kanë përcjellë nga afër drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, së bashku me ushtruesen e detyrës së zëvendësdrejtoreshës së QKMF-së, Merrushe Ajeti, si dhe drejtorin e Arsimit, Jeton Rexhepi.
“Kemi filluar kontrollet sistematike për nxënësit e klasave parafillore, klasës së parë dhe të pestë”, ka deklaruar Kadriu Qerimi.
Ajo ka theksuar se këto kontrolle realizohen në funksion të monitorimit të gjendjes shëndetësore të nxënësve dhe identifikimit të hershëm të problemeve të mundshme.
“Përmes këtij procesi synojmë të kontribuojmë në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të nxënësve, duke siguruar një zhvillim të shëndetshëm dhe mirëqenie më të mirë për ta”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, ka bërë të ditur se kontrollet do të realizohen nga ekipet profesionale mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, sipas një plani të përcaktuar, duke përfshirë të gjithë nxënësit e niveleve të përmendura.
“Sipas këtij procesi synohet ruajtja dhe avancimi i mirëqenies shëndetësore të nxënësve, si dhe identifikimi i hershëm dhe parandalimi i çdo problematike të mundshme shëndetësore”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka kërkuar angazhim nga drejtuesit e shkollave dhe bashkëpunim nga prindërit gjatë realizimit të kontrolleve.
“Kërkojmë angazhim të plotë nga drejtuesit dhe stafi i shkollave. Po ashtu, i lusim prindërit apo kujdestarët ligjorë të fëmijëve për bashkëpunim dhe mirëkuptim gjatë zhvillimit të këtyre kontrolleve”, ka përfunduar Rexhepi. /Telegrafi/