Komuna e Ferizajt ka njoftuar se ka nisur zgjerimi i Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime”, me synim rritjen e kapaciteteve për strehimin, mbrojtjen dhe trajtimin e grave dhe fëmijëve viktima të dhunës në familje.
Sipas Komunës, hapësira e re pritet të krijojë kushte më të përshtatshme dhe më dinjitoze për gratë dhe fëmijët që kanë nevojë për strehim, mbrojtje dhe mbështetje.
Menaxherja e projektit, Gresa Kllokoqi, ka thënë se zgjerimi do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të qendrës, ndërsa do të ndihmojë edhe në rritjen e qëndrueshmërisë financiare të organizatës.
“Hapësira e re do të na mundësojë që të rrisim kapacitetin dhe, njëkohësisht, të krijojmë kushte më të mira dhe më dinjitoze për secilin rast që trajtojmë. Një përfitim tjetër shumë i rëndësishëm është edhe qëndrueshmëria financiare e organizatës”, ka deklaruar Kllokoqi.
Ajo ka theksuar se me kalimin në objektin e ri do të zvogëlohen shpenzimet për qira dhe mirëmbajtjen e objektit, duke mundësuar që fondet të orientohen më shumë te përfituesit përmes aktiviteteve, programeve të fuqizimit dhe riintegrimit, trajnimeve profesionale dhe mbështetjes për fëmijët.
Zgjerimi i qendrës po financohet nga The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints (Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme).
Sipas Komunës, projekti pritet të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe shërbimeve për gratë dhe fëmijët që kërkojnë strehim dhe mbështetje, si dhe në fuqizimin e programeve që synojnë riintegrimin dhe pavarësimin e tyre. /Telegrafi/
