Me një pikë baleti dhe një mesazh të fuqishëm kushtuar sakrificës së atyre që ndër vite kontribuuan në ruajtjen e arsimit, kulturës, artit dhe identitetit kombëtar, ka nisur nata finale e Festivalit të Këngës në RTK, “Akordet e Kosovës”.
Performanca artistike ishte një homazh për të gjithë ata që sakrifikuan për të ardhmen, duke ruajtur vlerat kulturore e kombëtare edhe në periudhat më të vështira.
Vepra muzikore u kompozua nga drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, ndërsa koreografia u realizua nga trupa e baletit “Behia’s Dance”. Në këtë pikë artistike kontribuoi edhe violinisti i orkestrës, Festim Fanaj.
E në natën finale, publiku do të ketë mundësinë t’i dëgjojë sërish të 17 këngët konkurruese të këtij edicioni, ndërsa artistët do të rikthehen në skenë për performancat e tyre për herë të dytë.
Kjo natë do të jetë vendimtare edhe për jurinë, e cila do të vlerësojë interpretimet për të përcaktuar fituesin e festivalit.
Përveç garës muzikore, programi do të sjellë edhe mysafirë specialë, interpretime nga këngëtarë të njohur dhe momente nostalgjike, në një spektakël të shoqëruar nga orkestra e festivalit, nën drejtimin artistik të Florent Boshnjakut. /rtk

