Ankaraja ishte nikoqire e Samitit të NATO-s, një prej takimeve më të rëndësishme të Aleancës Veriatlantike në vitet e fundit, ku liderët e vendeve anëtare miratuan deklaratën përfundimtare të samitit.
Gjatë dy ditëve të samitit, kryeqyteti turk ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan si nikoqir, presidentin e Francës, kancelarin e Gjermanisë, kryeministren italiane Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të shteteve anëtare nga rajoni, si Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Në deklaratën e miratuar në Ankara, liderët e Aleancës rikonfirmuan përkushtimin ndaj mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, duke theksuar se “një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve”. NATO thekson se uniteti, solidariteti dhe forca kolektive mbeten themel i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për rreth një miliard qytetarë të vendeve anëtare.
Në fokus të samitit ishin e ardhmja e Aleancës, rritja e buxhetit për mbrojtje, fuqizimi i industrisë ushtarake, inovacioni, teknologjitë e reja, mbrojtja ajrore dhe raketore, si dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.
Sipas deklaratës, për t’iu kundërvënë kërcënimit afatgjatë që Rusia paraqet për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik, si dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga terrorizmi, aleatët po zbatojnë zotimin e mbrojtjes të marrë në Hagë. Në vitin 2025, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur investimet në nevojat kryesore të mbrojtjes për më shumë se 139 miliardë dollarë.
Në Ankara, NATO njoftoi mbi 50 miliardë dollarë prokurime të reja ushtarake dhe u zotua për zgjerimin e kapaciteteve të përbashkëta prodhuese, bashkëpunim më të ngushtë me industrinë dhe përshpejtim të inovacionit. Aleanca po ashtu theksoi se do të vazhdojë punën për eliminimin e barrierave tregtare në mbrojtje mes aleatëve.
Një nga pikat kryesore të deklaratës është ndërtimi i një “Evrope më të fortë në një NATO më të fortë”. Aleatët evropianë dhe Kanadaja, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, do të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e Aleancës.
Pjesë e rëndësishme e samitit ishte edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, ku u diskutua për prodhimin ushtarak, furnizimet, dronët, mbrojtjen ajrore, sistemet pa pilot, inteligjencën artificiale dhe bashkëpunimin më të madh mes shteteve aleate dhe industrisë.
Sa i përket Ukrainës, NATO rikonfirmoi mbështetjen për lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Aleatët theksuan se mbështetja duhet të jetë e drejtë, e parashikueshme dhe e qëndrueshme në afat të gjatë. Për vitin 2026, ata u zotuan për 70 miliardë euro pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnime për Ukrainën, si dhe për ruajtjen e të paktën të njëjtit nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027.
Deklarata e Ankarasë përmend edhe mjedisin më të gjerë të sigurisë, duke përfshirë konkurrencën strategjike, paqëndrueshmërinë, kërcënimet hibride dhe goditjet e përsëritura. Aleatët theksuan se Irani nuk duhet të posedojë kurrë armë bërthamore dhe i bënë thirrje Teheranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Për Ballkanin Perëndimor, edhe pse rajoni nuk ishte pjesë e agjendës zyrtare të samitit, zyrtarë të lartë të NATO-s kanë deklaruar për Telegrafin se ai mbetet lart në agjendën e përgjithshme të Aleancës.
Sipas tyre, NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Ballkanin Perëndimor, ndërsa KFOR-i vazhdon të ketë rol të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.
Në Ankara, në kuadër të diskutimeve të mbyllura, është folur edhe për propagandën dhe narrativat ruse në rajon, ku zyrtarë të NATO-s kanë theksuar se Aleanca i kundërvihet propagandës duke komunikuar të vërtetën dhe duke treguar se NATO është një aleancë mbrojtëse.
Samiti u zhvillua nën masa të larta sigurie, me rrugë të bllokuara, organizim të veçantë dhe prani të madhe të mediave ndërkombëtare nga SHBA-ja, BE-ja, Azia, Kanadaja, Ballkani, Ukraina dhe vende të tjera.
Telegrafi e përcolli nga afër Samitin e NATO-s në Ankara, duke sjellë raportime nga vendi i ngjarjes për zhvillimet kryesore, deklaratat e zyrtarëve të Aleancës, si dhe temat që lidhen me Kosovën, KFOR-in dhe Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/
