“Serbia Qendrore nën sulm! Sulm terrorist nga territori i Kosovës: U qëllua një ‘top zjarri’ – ky ishte qëllimi ”, “Top zjarri i hedhur nga Kosova, Serbia Qendrore nën sulm! Dyshohet për një sulm terrorist”, “Një top zjarri u qëllua nga territori i Kosovës drejt Serbisë Qendrore! Qëllimi ishte të shkaktohej zjarr?! ”.
Këta ishin vetëm disa nga titujt e publikuar gjatë dy-tri ditëve të fundit në mediat pro-qeveritare në Serbi, shkruan Telegrafi.
Në një kohë kur janë shtuar lajmet e rreme, dezinformatat dhe keqinformimi në shumë media e faqe të dyshimta, së fundmi edhe disa media me qasje pro pushtetit në Serbi kanë publikuar një informacion të pakonfirmuar, i cili është mohuar nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe kanë “gjetur” në zonën e Bërnjakut një pajisje me parashutë, për të cilën mediat pro-qeveritare në Serbi pretendojnë se ishte hedhur nga territori i Kosovës me qëllim shkaktimin e një zjarri në Serbi.
Sipas mediave në Serbi, Vuçiq ka thënë gjatë një vizite në Kralevë se pajisja tashmë është në duart e institucioneve serbe dhe se hetimet po vazhdojnë.
“E kemi gjetur atë pajisje me parashutë. Qëllimi është i qartë, por hetimet janë ende duke vazhduar”, ka deklaruar Vuçiq.
Megjithatë, pretendimet se pajisja është hedhur nga territori i Kosovës nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa Policia e Kosovës i ka mohuar ato.
Si nisi pretendimi për “topin e zjarrit”?
Sipas portalit në gjuhën serbe në Kosovë, Kossev, historia nisi më 23 gusht nga tabloidi serb Informer, i cili publikoi një artikull duke pretenduar se një “pajisje ndezëse”, të cilën e përshkroi si “top zjarri”, ishte hedhur nga Kosova drejt Serbisë Qendrore.
Informer njihet për qasje të ashpër ndaj Kosovës dhe për mbështetje ndaj pushtetit në Serbi.
Informer publikoi edhe një video, për të cilën pretendoi se tregonte pajisjen duke fluturuar drejt territorit serb, si dhe një fotografi të një objekti që thuhej se ishte gjetur në Bërnjak.
Pretendimi u përhap shpejt në një numër mediash të tjera serbe, mes tyre Blic, Alo, Srbija Danas etj. Disa prej tyre e paraqitën rastin që në tituj si një “sulm terrorist” apo si dyshim për një sulm të tillë.
Lajmi për këtë ngjarje dhe reagimet ndaj saj morën vëmendje edhe në mediat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Por, çfarë tha Policia e Kosovës?
Policia e Kosovës reagoi pas përhapjes së pretendimeve në mediat serbe, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Në reagimin e saj, Policia tha se asnjë institucion i Kosovës nuk ka përdorur armën apo pajisjen që po përshkruhej në media.
“Asnjë lloj arme e tillë siç është paraqitur në media nuk është përdorur nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe nuk ka asnjë njoftim nga njësitë e Policisë së Kosovës se kanë vërejtur diçka të tillë që është hedhur nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë”, thuhej në reagim, transmeton Telegrafi.
Policia tha se reagimi ishte bërë me qëllim të “informimit të saktë dhe parandalimit të përhapjes së dezinformatave”.
Sipas Policisë, pretendime të ngjashme nga Serbia janë shfaqur edhe më herët dhe synojnë që Kosova të paraqitet para faktorit ndërkombëtar si përgjegjëse për zhvillime negative në zonën kufitare.
Policia Kufitare, sipas njoftimit, vazhdon patrullimin dhe monitorimin e zonës, ndërsa disa patrullime realizohen edhe së bashku me KFOR-in./Telegrafi/.
