Autoritetet federale amerikane kanë nisur një hetim ndaj Gabriel Perez, personit që prej vitesh operon teleprompterin gjatë fjalimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, nën dyshimet se ai ka përdorur informacione të brendshme për të përfituar financiarisht nga platforma e tregjeve parashikuese Kalshi.
Sipas burimeve të afërta me hetimin, Perez dyshohet se ka përdorur njohuritë paraprake për përmbajtjen e fjalimeve të Trumpit për të vendosur baste mbi faktin nëse presidenti do të përmendte fjalë, tema apo çështje të caktuara gjatë paraqitjeve publike.
Hetuesit po shqyrtojnë veçanërisht transaksionet e kryera para më shumë se një duzine fjalimesh të Trumpit, përfshirë edhe fjalimin për “Gjendjen e Kombit”, një nga ngjarjet më të rëndësishme politike në SHBA. Sipas burimeve, këto baste i kanë sjellë Perezit fitime që kalojnë shumën prej 100 mijë dollarësh, shkruan abcnews.
Dyshimet lidhen me mundësinë që Perez të ketë pasur qasje në informacion që nuk ishte ende publik, pasi operatorët e teleprompterëve zakonisht shohin paraprakisht tekstet e fjalimeve të presidentëve përpara se ato të mbahen. Një informacion i tillë mund të ndikojë në tregjet parashikuese, ku përdoruesit vendosin para duke parashikuar ngjarje ose deklarata të ardhshme.
Raportohet se Perez aktualisht është në negociata për një marrëveshje me autoritetet, e cila mund të përfshijë kthimin e fitimeve të realizuara dhe një angazhim që të mos kryejë më transaksione të ngjashme në të ardhmen.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Perez po bashkëpunon me hetimin dhe se po i përgjigjet kërkesave të autoriteteve. Ndërkohë, platforma Kalshi ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa shtesë për të forcuar sistemet e saj kundër përdorimit të informacionit të brendshëm dhe për të parandaluar manipulimin e tregjeve të saj.
Hetimi ngre pikëpyetje të reja mbi përdorimin e tregjeve parashikuese në SHBA, të cilat vitet e fundit janë rritur ndjeshëm në popullaritet, por njëkohësisht kanë sjellë shqetësime për mundësinë që persona me qasje në informacione të privilegjuara të përfitojnë në mënyrë të padrejtë. /Telegrafi/
