Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka publikuar një raport qeveria Kurti 2021-2926 ku ka paraqitur detaje për shtrirjen e ligjshmërisë dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në pjesën veriore të vendit, duke paraqitur të dhëna për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë, regjistrimin e bizneseve, lirimin e pronave dhe investimet në infrastrukturë.
Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë zëvendësuar 10,365 dokumente ilegale të Serbisë me dokumente të Republikës së Kosovës. Prej tyre, 4,040 janë targa të automjeteve dhe 6,325 patentë-shoferë.
Në komunat veriore, gjatë periudhës 2021–2025, janë regjistruar 844 biznese të reja, ndërsa janë liruar 71 prona të uzurpuara, ku, sipas Qeverisë, janë kthyer 69 shqiptarë dhe dy serbë.
Në raport bëhet e ditur se janë ndërtuar 152 shtëpi dhe janë rinovuar edhe katër të tjera, me një vlerë të përgjithshme prej 7.8 milionë eurosh.
Sa i përket shtrirjes së institucioneve, Qeveria thotë se ka mbyllur 28 komuna paralele dhe pesë qarqe administrative të Serbisë, si dhe 62 institucione ilegale që vepronin në Kosovë.
Po ashtu, janë mbyllur gjashtë filiale të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë, ndërsa në Leposaviq janë bastisur dhe mbyllur Banka Popullore e Serbisë dhe Drejtoria e Thesarit.
Në mesin e masave të tjera të përmendura në raport janë ndalimi i hyrjes dhe përdorimit të dinarit, mbyllja e 29 rrugëve ilegale në veri dhe eliminimi i targave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve ilegalë të Serbisë.
Qeveria rikujton edhe vendimin e 29 qershorit 2023, kur “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile” u shpallën organizata terroriste.
Raporti përfshin edhe të dhëna për zgjedhjet dhe referendumet e Serbisë në territorin e Kosovës. Sipas tij, që nga viti 1999 janë mbajtur 31 palë zgjedhje dhe tri referendume të Serbisë në Kosovë, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë janë mbajtur tetë palë zgjedhje dhe një referendum.
Qeveria thekson se gjatë qeverisjes së saj nuk është lejuar mbajtja e asnjërës prej tri palë zgjedhjeve dhe referendumit të organizuar nga Serbia.
Në anën tjetër, raporti evidenton edhe hapjen e zyrave dhe shërbimeve të institucioneve të Kosovës në veri. Bëhet fjalë për zyrat kadastrale, ato të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), zyrat pensionale dhe të punësimit, zyrën rajonale të Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe pikat e Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Gjithashtu, është hapur zyra e Inspektoratit të Punës në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan, ndërsa sipas raportit, zyra të tjera janë përgatitur edhe në Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në fushën e arsimit, ka nisur ndërtimi i dy shkollave dhe një çerdheje në veri të Mitrovicës. Ndërsa është funksionalizuar edhe qendra rajonale për patentë-shoferë, e cila ofron shërbime për Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin, Leposaviqin, Vushtrrinë dhe Skenderajn.
Një tjetër zhvillim i përmendur është qendra e trajnimit për kërkim-shpëtim e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave në Zubin Potok, pranë Liqenit të Ujmanit.
Në raport thuhet se Policia e Kosovës ka marrë nën kontroll pendën e Ujmanit, e cila më parë ishte nën kontrollin e strukturave paralele, ndërsa sot menaxhohet nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc”.
Qeveria ka përmendur edhe sekuestrimin e pajisjeve që, sipas saj, përdoreshin për organizimin e barrikadave dhe përgjimin e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, përfshirë alarmet, zmadhuesit e zërit dhe kamerat ilegale.
Në aspektin e infrastrukturës, gjatë vitit 2025 janë ndërtuar dy ura të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë. Ato janë hapur në gusht dhe dhjetor, me një investim prej tre milionë eurosh. Ndërkohë, një urë e tretë është në ndërtim e sipër për të lidhur Zhabarin dhe Gushavcin me Vidimriqin.
Po ashtu, është modernizuar rrjeti telekomunikues në teknologjitë 4G+ dhe 5G, janë shtuar 18 stacione të reja dhe, sipas Qeverisë, për herë të parë shërbimet e Telekomit të Kosovës janë mundësuar edhe në komunat veriore. Ky rrjet mundëson gjithashtu komunikimin e Policisë së Kosovës përmes operatorit shtetëror.
Të gjitha këto të dhëna janë pjesë e raportit të publikuar nga Qeveria Kurti, e cila i paraqet si rezultate të shtrirjes së institucioneve dhe forcimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës në veri të vendit. IndeksOnline

