Ish-këngëtarja e njohur Hana Çakuli është rikthyer në vëmendje me një intervistë për Telegrafin pas shumë vitesh, por këtë herë jo si artiste e skenës – në një identitet dhe rrugëtim krejt të ri profesional.
Sot, Hana mban pozitën e Menaxheres së Lartë të Angazhimit të Klientëve në Amazon, duke u prezantuar si një profesioniste e fushës së teknologjisë dhe biznesit. Ajo ishte një nga mysafiret e konferencës “PowerToHR 4: People, Tech & Business Summit”, e cila u mbajt në AMC Hall në Prishtinë më 6 dhe 7 maj, ku u trajtuan temat e njerëzve, teknologjisë dhe zhvillimeve që po sjell inteligjenca artificiale në tregun e punës.
Në intervistën për Telegrafin, Çakuli tha se, edhe pse kur përmendet emri i saj shumëkush e kujton ende për hitet e dikurshme si “Simbol” apo “U shërova”, ajo prej vitesh është e angazhuar seriozisht në rrugën profesionale në sektorin teknologjik. Ajo theksoi se përdor rregullisht mjete të inteligjencës artificiale në punën e përditshme dhe i inkurajon të rinjtë dhe kompanitë t’i shfrytëzojnë ato për të qenë më efikasë.
“Mendoj se ka aq shumë AI tools, madje edhe falas, që njerëzit mund t’i përdorin. Unë vetë i përdor disa prej tyre për punën e përditshme dhe ma kanë lehtësu punën – në vend që të punoj, le të themi, tri orë për një detyrë, e kryej për gjysmë kohe. Kjo është fantastike… ta lehtëson jetën, ta lehtëson punën dhe të ndihmon që ato punët e mërzitshme t’i heqësh, e të fokusohesh më shumë në strategji dhe në gjëra më të rëndësishme”, u shpreh ajo.
Hana sqaroi gjithashtu se angazhimi i saj në menaxhment ka qenë i pranishëm edhe më herët, por nuk ishte shumë i njohur për publikun, pasi vëmendja ishte kryesisht te muzika. Ajo tha se prej disa vitesh është e fokusuar me kohë të plotë në punën e saj në Amazon, duke e përshkruar si një ambient jashtëzakonisht dinamik, ku mësimi i vazhdueshëm është i domosdoshëm.
Sipas saj, sfida kryesore është ritmi i ndryshimeve në teknologji, pasi çdo vit – madje edhe çdo muaj – ka diçka të re për t’u mësuar, mjete të reja dhe mënyra të reja pune, ndërsa profesionistët duhet të jenë gjithmonë në hap me trendet për t’ua ofruar klientëve zgjidhjet më të fundit.
Rikthimi i Hana Çakulit në një intervistë pas shumë vitesh u pa si një dëshmi e një transformimi të suksesshëm profesional, ku një emër i njohur nga muzika ka ndërtuar një karrierë serioze dhe të qëndrueshme në botën e teknologjisë dhe angazhimit me klientët. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be
– YouTube youtu.be