KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Nga siguria kibernetike te energjia dhe bujqësia! Shqipëria dhe Izraeli synojnë marrëveshje të reja

Nga siguria kibernetike te energjia dhe bujqësia! Shqipëria dhe Izraeli synojnë marrëveshje të reja

Vizita e Sa’ar në Tiranë, çfarë synojnë të konkretizojnë Tirana dhe Tel Avivi?

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe ai i Izraelit Gideon Sa’ar, mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, në kuadër të vizitës zyrtare të këtij të fundit në Tiranë.

Hoxha vlerësoi mbështetjen e Izraelit në forcimin e sigurisë kibernetike, duke dënuar sulmet e Iranit dhe grupeve të lidhura me të ndaj Shqipërisë. Në fokus të bisedimeve ishte edhe situata në Lindjen e Mesme, ku Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen për paqen dhe sigurinë, si dhe rëndësinë e bashkëjetesës në dinjitet për izraelitët dhe palestinezët.

“Siguria mbetet një shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.

Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë kibernetike ka marrë një rëndësi të veçantë vitet e fundit. I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale. Që prej asaj kohe, kemi vijuar të investojmë në qëndrueshmërinë e infrastrukturës sonë dixhitale dhe do ta forcojmë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë jetike.

Partneriteti ynë po zgjerohet edhe në fushën ekonomike. Ne shohim potencial të konsiderueshëm për diversifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe na inkurajon interesi gjithnjë në rritje i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, veçanërisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion dhe energji, por edhe në shëndetësi”, tha ndër të tjera Hoxha.

Ministri Hoxha theksoi gjithashtu lidhja historike mes dy popujve, e dëshmuar nga mbrojtja e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit, një histori që do të përcillet edhe përmes projekteve të Muzeut të Besës në Tiranë dhe Muzeut Hebraik në Vlorë.

“Për Shqipërinë, historia e popullit hebre ka një domethënie të veçantë. Në një nga orët më të errëta të njerëzimit, shqiptarët hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre, mirëpritën dhe mbrojtën familjet hebreje dhe u siguruan që ata që kërkuan strehim të gjenin mbrojtje, siguri dhe dinjitet. Ndjeva krenari që pata mundësinë t’ju tregoja disa dokumente të asaj kohe, shumë prej të cilave mbetën kryesisht të panjohura për publikun deri vetëm disa dekada më parë.

Ky mbetet një nga kapitujt më krenarë të historisë sonë kombëtare dhe një dëshmi e fuqishme e vlerave tona të humanizmit, solidaritetit dhe respektit për jetën. Ne e kemi përmbledhur këtë qëndrim në një fjalë të vetme: BESA – fjala e dhënë, premtimi që mbahet.

Këto lidhje, të farkëtuara në kohë vështirësish dhe të udhëhequra nga guximi moral, vazhdojnë edhe sot të përbëjnë një themel të fortë për miqësinë dhe mirëkuptimin në rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit. Në këtë kuadër, e informova Ministrin se, për ta mbajtur gjallë këtë kujtesë, Shqipëria po avancon me dy projekte të rëndësishme: Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në qytetin e Vlorës”, tha Hoxha.

Gideon Sa’ar: Izraeli dhe Shqipëria, miqësi më të thellë se diplomacia! Synojmë marrëveshje të reja

Gjatë konferencës së përbashkët me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se miqësia mes Shqipërisë dhe Izraelit shkon përtej diplomacisë.

Ai falënderoi Shqipërinë për qëndrimin kundër terrorizmit dhe antisemitizmit, si dhe vlerësoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama kundër Hamasit.

“Është kënaqësi që gjendem në Shqipëri, mike e Izraelit. Është vizita e vetme ndërkombëtare këtë muaj. Miqësia jonë është më e thellë se diplomacia. Ju i hapët derën hebrenjve dhe kjo ka qenë “Besa” juja. Dua të shpreh admirimin e jashtëzakonshëm Edi Rama, në bindjen time një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm të botës. Fjalët e tij të fuqishme kundër terrorizmit të Hamasit, patën shumë rëndësi për ne izraelitët.”

Sa’ar bëri të ditur se dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike, energjisë, infrastrukturës, ujit dhe bujqësisë. Ai theksoi gjithashtu rritjen e numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri, duke e lidhur atë me mikpritjen që ata gjejnë në vend.

“Po e kthejmë miqësinë në vepra. Sulmet kibernetike cenojnë çdo vend dhe do i mbrojmë vendet tona. Numri i vizitorëve në Shqipëri është rritur, mbi 100 mijë turistë, për këtë ka një arsye, izraelitët ndjehen të mikëpritur këtu në Shqipëri. Kërkojmë të ndërtojmë bashkëpunime në energji, infrastrukturë, uji dhe bujqësia. Falenderojmë Shqipërinë, që qëndron kundër terrorizmit dhe antisemitizmit. Ne ndajmë një vizion stabiliteti dhe sigurie në rajon.”/Tv Klan

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.