Dy persona janë arrestuar nga policia katalunase nën dyshimin për përfshirje në një seri vjedhjesh në shtëpi luksoze, përfshirë edhe banesën e portierit të Barcelonës, Joan Garcia.
Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, të arrestuarit, të moshës 58 dhe 42-vjeçare, dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që ka kryer vjedhje në disa prona në Kataluni.
Ngjarja që lidhet me portierin e Barcelonës kishte ndodhur më 10 janar, kur Garcia ndodhej në Arabinë Saudite me skuadrën e tij për Superkupën e Spanjës. Të dyshuarit dyshohet se shfrytëzuan mungesën e tij për të hyrë në shtëpinë ku ai jetonte me partneren, në zonën e Baix Llobregat.
Megjithatë, aktivizimi i sistemit të alarmit bëri që policia të ndërhynte, duke parandaluar vjedhjen.
Hetimet zbuluan gjithashtu se të dyshuarit kishin vëzhguar edhe shtëpinë e Jules Koundes, mbrojtësit francez të Barcelonës, duke përgatitur një vjedhje të mundshme, por pa e realizuar atë.
Sipas të njëjtit raportim, njëri prej të dyshuarve, Arsim Blaku, është person i njohur për policinë për shkak të veprave të përsëritura dhe dyshohet se ka pasur rol drejtues në organizimin e këtyre operacioneve.
Dy të arrestuarit janë dërguar në paraburgim, ndërsa një grua tjetër e përfshirë në hetim është liruar pasi është paraqitur para gjykatës.
Hetimet për këtë grup të dyshuar kriminal po vazhdojnë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë lidhjet e mundshme të tij me vjedhje të tjera në shtëpi luksoze në Kataluni./Telegrafi/

