Një tjetër talent me origjinë shqiptare po shkruan emrin e tij në futbollin amerikan. Vetëm 17 vjeç, Adri Mehmeti ka hyrë në histori me Përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mesfushori ishte titullar në fitoren 4-2 të SHBA-së ndaj Kilit, duke u bërë lojtari më i ri që Mauricio Pochettino ka aktivizuar nga minuta e parë që prej marrjes së drejtimit të kombëtares amerikane.
Mehmeti ishte pjesë e një formacioni me moshë mesatare prej vetëm 23.1 vjetësh, ndërsa paraqitja ndaj Kilit ishte e dyta për të me fanellën e SHBA-së.
Ai kishte debutuar më herët në një tjetër ndeshje miqësore.
17-vjeçari po lë gjurmë edhe në nivel klubesh, ai është bërë titullar i rregullt te New York në MLS dhe këtë sezon ka regjistruar një gol dhe katër asistime në kampionat.
Megjithatë, historia e Mehmetit me kombëtaren mund të ketë ende një kthesë.
Dy ndeshjet e tij me SHBA-në kanë qenë miqësore, ndaj ai ende mund të ketë mundësi të zgjedhë një tjetër përfaqësuese në të ardhmen. /Telegrafi/