“E të ecë Lumezi, që të kthehet Elezi” – kjo ishte njëra nga deklaratat më të përfolura të Albin Kurtit gjatë kohës sa ishte në opozitë, duke iu referuar ish-prokurorit Elez Blakaj, i cili ishte larguar nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, Kurti kishte premtuar se do ta kthente Blakajn në Kosovë, madje kishte deklaruar se do ta emëronte Kryeprokuror të Shtetit.
Premtimet e tij shkonin edhe më tej, pasi Kurti kishte thënë se me ardhjen e tij në pushtet, askush nuk do të guxonte ta kërcënonte ish-prokurorin.
Por, ndërsa këto deklarata i përkisnin kohës së fushatës politike, rrugëtimi profesional i Elez Blakajt në Shtetet e Bashkuara ka marrë një drejtim tjetër.

Blakaj aktualisht është i angazhuar në sektorin e patundshmërive në SHBA, ku merret me shitjen, blerjen dhe dhënien me qira të pronave. Në këtë veprimtari ai prezantohet me emrin profesional “Eli Z”, në kuadër të kompanisë JB Goodwin Realtors.
Në profilin e tij zyrtar në faqen e kësaj kompanie, ish-prokurori ka prezantuar edhe të kaluarën e tij akademike dhe profesionale, duke përmendur përvojën shumëvjeçare në sektorin publik dhe në fushën e sundimit të ligjit.
“Kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe kam marrë gradën master në Drejtësinë Penale në Universitetin Wake Forest, në Karolinën e Veriut, SHBA. Pasionet e mia në jetë janë arti dhe sporti!”, thuhet në biografinë e tij.
Në prezantimin e tij profesional, Blakaj përshkruan edhe shërbimet që ofron në tregun e patundshmërive, përfshirë shitjen dhe blerjen e pronave, dhënien me qira dhe investimet në këtë sektor.
Ai vë në pah rëndësinë e besimit të klientëve, përkushtimit dhe ofrimit të shërbimeve profesionale, duke theksuar synimin për të tejkaluar pritshmëritë e tyre gjatë procesit të bashkëpunimit.
Ndërkaq, kompania JB Goodwin Realtors është themeluar në vitin 1972 në Teksas të Shteteve të Bashkuara dhe operon kryesisht në zonat e Austin dhe San Antonio.
Kështu, ish-prokurori që në vitin 2019 ishte pjesë e premtimeve politike të Albin Kurtit për t’u kthyer në Kosovë dhe për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Shtetit, sot prezantohet në një profil tjetër profesional në SHBA, atë të agjentit të patundshmërive. /Lajmi.net/

