KORREKT / SOT23 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

Nga operacionet estetike te rindërtimi i gjirit pas kancerit – kirurgia Violeta Zatriqi flet për rreziqet, paragjykimet dhe sfidat në Kosovë

Nga operacionet estetike te rindërtimi i gjirit pas kancerit – kirurgia Violeta Zatriqi flet për rreziqet, paragjykimet dhe sfidat në Kosovë

Kirurgjia plastike nuk ka të bëjë vetëm me bukurinë, por edhe me rikthimin e funksioneve të trupit, trajtimin e dëmtimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.

Kështu ka deklaruar kirurgia plastike, rekonstruktive dhe estetike, Violeta Zatriqi, e cila në episodin e 97-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati” ka folur për ndërhyrjet estetike, komplikacionet e mundshme, rindërtimin e gjirit pas kancerit dhe rëndësinë e përzgjedhjes së kirurgut.

– YouTube www.youtube.com

Zatriqi, e cila ka rreth 26 vjet përvojë profesionale dhe drejton Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK, ka shpjeguar se kirurgjia estetike është vetëm një pjesë e fushës së kirurgjisë plastike.

“Gjithmonë kirurgjia plastike ka sinonimin e kirurgjisë së të bukurës, por në fakt nuk është vetëm ajo”, u shpreh Zatriqi.

Sipas saj, kirurgjia estetike synon përmirësimin e pamjes së një pjese të trupit, ndërsa kirurgjia rekonstruktive përfshin trajtimin e dëmtimeve të shkaktuara nga traumat, sëmundjet dhe ndërhyrjet e mëparshme kirurgjikale.

Një nga shqetësimet kryesore që Zatriqi ngriti gjatë intervistës ishte rritja e numrit të procedurave estetike që, sipas saj, po realizohen nga persona pa përgatitjen e duhur profesionale.

Ajo përmendi veçanërisht aplikimin e botoksit dhe fillerëve, duke theksuar se këto procedura nuk duhet të konsiderohen të parrezikshme vetëm pse nuk kërkojnë ndërhyrje klasike kirurgjikale.

“Tani botoksin dhe fillerët i bëjnë njerëz joprofesionistë, gjë që nuk është në rregull, sepse kemi shumë komplikacione”, deklaroi Zatriqi.

Kirurgia theksoi se pacientët mund të kenë pasoja nga përdorimi i produkteve jocilësore dhe nga injektimet e kryera prej personave të pacertifikuar.

Sipas saj, ekziston një dallim i madh ndërmjet përgatitjes profesionale të një kirurgu plastik apo dermatologu dhe ndjekjes së një trajnimi disaditor për procedura estetike.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rindërtimit të gjirit te gratë që i janë nënshtruar mastektomisë si pasojë e kancerit.

Zatriqi tregoi se zhvillimi i këtij shërbimi në Klinikën e Kirurgjisë Plastike ka qenë një nga angazhimet e saj gjatë drejtimit të institucionit.

Sipas saj, shumë gra ende nuk kanë informacion të mjaftueshëm për mundësinë e rekonstruksionit të gjirit.

“Gruaja, kur e merr lajmin që ka kancer, qëllimi i saj është të shërohet. Pastaj, pas një kohe, vjen edhe përmirësimi i pamjes”, shpjegoi ajo.

Zatriqi theksoi se pacientet duhet të informohen për alternativat e rindërtimit që në fazat e para të trajtimit, në mënyrë që të kenë mundësi të vendosin nëse dëshirojnë rekonstruksion të menjëhershëm apo në një fazë tjetër.

Ajo foli edhe për ndikimin emocional që mund të ketë humbja e gjirit, duke treguar se disa paciente përballen jo vetëm me pasojat e sëmundjes, por edhe me mungesën e mbështetjes nga partnerët.

Sipas saj, rindërtimi i gjirit mund të ndihmojë disa gra në rikthimin e vetëbesimit, megjithëse vendimi duhet të jetë gjithmonë personal dhe i mbështetur në vlerësimin mjekësor.

Duke folur për motivet që i shtyjnë njerëzit drejt kirurgjisë estetike, Zatriqi theksoi se ndërhyrjet nuk duhet të realizohen për shkak të presionit nga partneri apo nga shoqëria.

Ajo tregoi se gjatë përvojës së saj profesionale ka takuar paciente që kanë kërkuar ndryshime në pamjen fizike për shkak të pakënaqësive në marrëdhëniet personale.

Sipas kirurges, konsultimi me pacientin duhet të shërbejë edhe për të kuptuar arsyet e vërteta që qëndrojnë pas dëshirës për operacion.

Zatriqi theksoi se ndryshimi i pamjes nuk garanton zgjidhjen e problemeve emocionale apo të marrëdhënieve dhe se vendimi duhet të merret nga vetë pacienti, pa presion.

Një tjetër çështje e trajtuar gjatë podcastit ishte ndikimi i rrjeteve sociale dhe krijimi i pritshmërive joreale për rezultatet e ndërhyrjeve estetike.

Zatriqi shpjegoi se fotografitë e përpunuara dhe promovimi i standardeve të caktuara të bukurisë mund t’i shtyjnë pacientët të kërkojnë rezultate që nuk janë gjithmonë të realizueshme.

“Ne kirurgët plastikë nuk jemi shkopi magjik”, u shpreh ajo.

Sipas saj, kirurgjia estetike mund të përmirësojë pamjen, por nuk mund ta ndalë procesin e plakjes apo të garantojë që një person të duket disa dekada më i ri.

Kirurgia theksoi rëndësinë e komunikimit të sinqertë ndërmjet mjekut dhe pacientit, në mënyrë që pritshmëritë të jenë në përputhje me mundësitë reale të ndërhyrjes.

Zatriqi paralajmëroi se asnjë ndërhyrje kirurgjikale nuk është plotësisht pa rrezik.

Ajo shpjegoi se komplikacionet mund të jenë të hershme ose të vonshme, duke përmendur gjakderdhjen, infeksionet, problemet me shërimin e plagëve, grumbullimin e lëngjeve dhe dëmtimet e indeve.

“Nuk ka komplikacione ai i cili nuk operon fare”, deklaroi Zatriqi, duke theksuar se komplikacionet janë një mundësi reale në praktikën kirurgjikale.

Sipas saj, përvoja profesionale, përzgjedhja e teknikës së përshtatshme dhe kujdesi pas operacionit janë faktorë të rëndësishëm për zvogëlimin e rrezikut.

Ajo u bëri thirrje pacientëve të informohen për kualifikimet e kirurgut dhe të sigurohen që do të kenë mbështetje mjekësore edhe gjatë periudhës së rikuperimit.

Gjatë intervistës, Zatriqi ngriti shqetësime edhe për angazhimin e disa kirurgëve të huaj në institucione private në Kosovë.

Sipas saj, ekzistojnë raste kur kirurgët vijnë për të realizuar ndërhyrje dhe më pas largohen nga vendi, ndërsa pacientët që përballen me komplikacione mund të kenë vështirësi në sigurimin e kujdesit të vazhdueshëm.

Ajo theksoi se përgjegjësia e kirurgut nuk përfundon me mbylljen e operacionit, por përfshin edhe ndjekjen e pacientit gjatë rikuperimit.

Zatriqi vlerësoi se Kosova ka profesionistë të kualifikuar në këtë fushë dhe se qytetarët duhet të kenë besim në kapacitetet e tyre.

Në përfundim të intervistës, Zatriqi foli edhe për synimet e saj në zhvillimin e shërbimeve të kirurgjisë plastike në QKUK.

Ajo përmendi nevojën për krijimin e një qendre të specializuar për trajtimin e djegieve, si dhe zhvillimin e mikrokirurgjisë rekonstruktive.

Sipas saj, zhvillimi i këtyre kapaciteteve do të mundësonte trajtimin e më shumë pacientëve brenda Kosovës, pa pasur nevojë të kërkojnë shërbime jashtë vendit.

Kirurgia u drejtua veçanërisht grave që kanë kaluar nëpër trajtimin e kancerit të gjirit, duke i inkurajuar të informohen për mundësitë e rekonstruksionit.

“Kurdo që ato të jenë të gatshme, kur ato kanë dëshirë, ne jemi për to. Ne mjekët, kirurgët, jemi për pacientin”, ishte mesazhi i saj. /Telegrafi/

Hap videon në burimin e saj ↗
Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.