Një fluturim i kompanisë ajrore Ryanair nga Londra drejt Tiranës, i planifikuar të zgjaste rreth tre orë, u kthye në një udhëtim 12-orësh pas motit të keq, dy devijimeve dhe incidenteve me pasagjerë gjatë fluturimit.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, fluturimi i 3 qershorit u detyrua fillimisht të devijohej drejt Brindisit në Itali për shkak të kushteve të këqija atmosferike në aeroportin e Tiranës. Pas një pritjeje të gjatë, fluturimi u nis sërish, por nuk arriti të ulej në Tiranë dhe u devijua për herë të dytë, kësaj radhe në Selanik të Greqisë.
“Fluturimi treorësh nga Londra Stansted drejt Shqipërisë u shndërrua në një udhëtim 12-orësh”, raportoi The Sun, duke përshkruar situatën si një “makth” për pasagjerët.
Gjatë pritjes në avion, tensionet mes pasagjerëve u rritën. Disa prej tyre, të irrituar nga mungesa e informacionit dhe vonesat e gjata, kërkuan të zbrisnin nga avioni në Selanik, ndërsa policia greke u thirr për të menaxhuar situatën. Media britanike e ka përshkruar incidentin si një “revoltë në ajër”.
Një pasagjer, i përshkruar si i dehur, shkaktoi gjithashtu shqetësime në kabinë. Sipas raportimit, ai u përfshi në një incident ku ekuipazhi u detyrua të ndërhynte për ta kthyer në vendin e tij.
Një udhëtar tha për “The Sun” se situata ishte përkeqësuar edhe nga mungesa e furnizimeve në bord, pasi pasagjerët kishin kaluar shumë orë në avion dhe rezervat e ushqimeve e pijeve ishin kufizuar.
Avioni mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës rreth orës 05:00 të mëngjesit, shumë orë pas orarit të planifikuar.
Në një reagim, Ryanair tha se vonesat u shkaktuan nga “rrethana të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme” të lidhura me motin, duke shtuar se pasagjerët ishin njoftuar për zhvillimet dhe se ishin ofruar pije freskuese pas devijimeve.
Kompania theksoi se në raste të tilla nuk parashikohet kompensim sipas rregullave në fuqi. /Telegrafi/
