Futbollisti i ri nga Peja, Kaan Arapi, po vazhdon të tërheqë vëmendjen me talentin dhe përkushtimin e tij, duke u konfirmuar si një nga emrat më premtues të futbollit kosovar për grupmoshat e reja.
Pas pjesëmarrjes në programin zyrtar të AC Milan Academy të zhvilluar në PUMA House of Football – Centro P. Vismara, qendrën stërvitore të sektorit të të rinjve të AC Milanit në Milano, Kaan po merr pjesë edhe në edicionin e dytë të AC Milan Academy Junior Camp – Prishtina, ku po vazhdon të dëshmojë cilësitë e tij në fushën e lojës.
Pjesëmarrja në këtë kamp konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij sportiv. Vetë Kaan thekson se puna profesionale në akademi, e kombinuar me stërvitjet individuale dhe ato me ekipin, po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e tij si futbollist.
“Kjo është hera e dytë që marr pjesë në AC Milan Academy Junior Camp – Prishtina. Organizimi është në një nivel shumë të lartë, ndërsa profesionalizmi dhe përkushtimi i trajnerëve e bëjnë këtë një nga akademitë më të mira ku kam pasur mundësi të stërvitem. Çdo seancë stërvitore më ndihmon të përmirësohem dhe të fitoj më shumë vetëbesim në fushë. Besoj se kjo përvojë, së bashku me stërvitjet e vazhdueshme individuale dhe me klubin tim, do të më ndihmojë të arrij objektivat që kam si futbollist”, u shpreh Kaan Arapi.
Talenti pejan është pjesë e KF Peja, klub ku po zhvillohet dhe po ndërton hap pas hapi karrierën e tij, duke synuar që në të ardhmen të arrijë nivelet më të larta të futbollit.
Paraqitjet dhe potenciali i tij janë vlerësuar edhe nga institucionet sportive. Vitin e kaluar, Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Lidhjen Rajonale të Futbollit, e nderuan Kaan Arapin me mirënjohje si futbollist me perspektivë të lartë, duke vlerësuar talentin dhe punën e tij.
Një tjetër moment i rëndësishëm në rrugëtimin e tij ishte pjesëmarrja në FC Barcelona Camp, ku u vlerësua sërish si futbollist me perspektivë të lartë dhe, falë paraqitjeve të tij, u përzgjodh për të marrë pjesë në një program stërvitor në La Masia, qendrën e njohur të zhvillimit të talenteve të FC Barcelona.
Me eksperiencat e fituara në dy prej institucioneve më të njohura të futbollit evropian për zhvillimin e talenteve të reja, si La Masia dhe AC Milan Academy, Kaan Arapi po vazhdon të ndërtojë me përkushtim rrugën drejt futbollit profesionist.
Në moshë të re, ai po dëshmon se puna, disiplina dhe përkushtimi janë baza e suksesit, ndërsa çdo eksperiencë e fituar në akademi të nivelit ndërkombëtar përbën një investim të rëndësishëm për të ardhmen e tij sportive.
