Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-portieri i njohur kosovar, Flamur Neziri, i cili rrëfeu për rrugëtimin e tij në futboll, nga fillimet e karrierës te përvojat me disa prej klubeve të njohura në Kosovë dhe kalimi në rolin e trajnerit të portierëve. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Neziri rikujtoi fillimet e tij në futboll dhe momentin kur vendosi të bëhej portier, duke folur edhe për përvojat e para te Hysi dhe rëndësinë që pati për të kalimi te Prishtina.
Ai u ndal te periudha e kaluar në disa klube të futbollit kosovar, përfshirë Fushë Kosovën, Besën e Pejës, Feronikelin, Drenicën, Flamurtarin dhe Dukagjinin, ndërsa rikujtoi edhe trofetë e fituar me Hysin, Prishtinën dhe Feronikelin.
Ish-portieri foli edhe për momentet më të veçanta të karrierës, pritjet dhe ndeshjet që i kanë mbetur në kujtesë, si dhe për emocionet që përjetonte sa herë merrte ftesën për t’u grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës. Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe konkurrencës për një vend në portën e përfaqësueses dhe sfidave me të cilat përballeshin portierët e gjeneratës së tij.
Në pjesën tjetër të podcastit, Neziri tregoi për kalimin nga futbolli aktiv në rolin e trajnerit të portierëve, duke folur për punën me grupmoshat e Prishtinës dhe më pas me gjeneratat e reja të Kosovës.
Ai ndau përvojën e tij në zhvillimin e portierëve të rinj, duke shpjeguar dallimet mes stërvitjes së futbollistëve të rinj dhe portierëve profesionistë, si dhe cilësitë që i konsideron më të rëndësishme për një portier që synon të arrijë sukses.
Në fund, ish-portieri riktheu në kujtesë të gjithë rrugëtimin e tij, nga Hysi deri te 2 Korriku, ku e përfundoi karrierën si futbollist, duke folur edhe për vendimet dhe momentet që do t’i përjetonte ndryshe po të kishte mundësi ta kthente kohën.
Episodin e plotë me Flamur Nezirin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com