Reparti i Neonatologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë vazhdon të ofrojë shërbime të specializuara për foshnjat e porsalindura, duke u bazuar në punën e mjekëve dhe infermierëve të këtij reparti.
Në këtë repart punojnë mjekët Agim Sherifi dhe Sylejman Halili, të cilët, së bashku me ekipin e infermierëve, ofrojnë kujdes të vazhdueshëm për foshnjat, duke përfshirë kontrolle të përgjithshme, trajtimin e rasteve premature, diagnostikimin e sëmundjeve të lindura, fototerapi, eko abdominale dhe të trurit, si dhe shërbime të tjera mjekësore.
Sipas njoftimit të spitalit, mjekët janë të angazhuar që nga momenti i parë i lindjes, duke reaguar menjëherë për çdo foshnjë që ka nevojë për ndihmë, ndërsa kujdesi vazhdon edhe pas lindjes me monitorim të vazhdueshëm, trajtim adekuat dhe këshillim për nënat.
Një rol të rëndësishëm në funksionimin e repartit e kanë edhe infermieret e Neonatologjisë, të cilat ofrojnë kujdes të pandërprerë pranë foshnjave, monitorojnë parametrat jetikë dhe administrojnë terapinë, duke mbështetur edhe familjet në momentet më të ndjeshme.
Gjatë vitit 2025, ekipi i Neonatologjisë në Spitalin e Mitrovicës është përkujdesur për 1,743 foshnja të porsalindura, prej tyre 828 vajza dhe 916 djem.
Nga spitali vlerësohet se bashkëpunimi mes mjekëve dhe infermierëve është çelësi i suksesit në trajtimin e foshnjave, duke theksuar përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit në kujdesin shëndetësor neonatal. /Telegrafi/