Komiteti i Përbashkët për të Drejtat e Njeriut i Parlamentit britanik i ka bërë thirrje qeverisë të miratojë një ligj të posaçëm për Inteligjencës Artificiale dhe të krijojë një rregullator të pavarur, duke paralajmëruar se kuadri aktual ligjor nuk është i përshtatshëm për të trajtuar rreziqet që teknologjia në zhvillim të shpejtë paraqet për të drejtat e njeriut.
Në raportin e tij mbi të drejtat e njeriut dhe rregullimin e Inteligjencës Artificiale, komiteti propozoi një projektligj të ri, të bazuar në një qasje sipas nivelit të rrezikut. Kjo qasje do t’i klasifikonte sistemet sipas ndikimit të mundshëm gjatë gjithë ciklit të tyre të funksionimit dhe do të vendoste detyrime më të rrepta për modelet me rrezik më të lartë.
Komiteti bëri gjithashtu thirrje që sistemet e Inteligjencës Artificiale, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm te individët, grupet dhe komunitetet, të bëjnë të ditur kur përdoret inteligjenca artificiale dhe të shpjegojnë mënyrën se si funksionon ajo.
Rregullatori i pavarur i propozuar do të monitoronte rreziqet që lidhen me Inteligjencës Artificiale, do të shërbente si pikë qendrore për ankesat e publikut dhe do të kishte kompetenca për t’i mbajtur ofruesit përgjegjës përmes kodeve të praktikës, kërkesave për transparencë dhe sanksioneve për shkeljet.
Kryetari i komitetit, Alex Sobel, kritikoi atë që e përshkroi si reagim të ngadaltë të qeverisë ndaj kërcënimeve në zhvillim.
“Nuk po shohim një ndjenjë urgjence nga qeveria për trajtimin e rreziqeve serioze që paraqet Inteligjencës Artificiale. Një qasje ‘prit dhe shiko’ ndaj një sektori që po zhvillohet me ritme kaq të shpejta rrezikon që problemet e reja të identifikohen tepër vonë, e lëre më të ekzistojë kapaciteti për t’i zgjidhur ato”, tha ai në një deklaratë.
Sobel tha se nevojitet rregullim më i rreptë për të ndikuar në mënyrën se si zhvillohen dhe përdoren sistemet e Inteligjencës Artificiale.
“Një rregullator i posaçëm, i mbështetur në një qasje të bazuar në nivelin e rrezikut për trajtimin e dëmeve, do të krijonte një kuadër të qartë për zhvillimin e sistemeve të Inteligjencës Artificiale në mënyrën e duhur”, shtoi ai.
Ai përmendi gjithashtu një raport të fundit të Komitetit Parlamentar për Biznesin, Inovacionin, Shkencën dhe Tregtinë, i cili arriti në përfundime të ngjashme lidhur me rreziqet e Inteligjencës Artificiale dhe nevojën për veprim nga qeveria.
“Është koha që qeveria ta marrë parasysh këtë”, tha Sobel.

