KORREKT / SOT28 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Në Zvicër nis reforma në polici, pas skandaleve me racizëm dhe seksizëm

Në Zvicër nis reforma në polici, pas skandaleve me racizëm dhe seksizëm

Policia e qytetit të Lozanës në Zvicër ka nisur zbatimin e masave të para të reformës së saj, pas një serie skandalesh që përfshinë mesazhe raciste dhe seksiste mes zyrtarëve policorë, si dhe raste të vdekjeve gjatë ndjekjeve dhe ndërhyrjeve policore.

Autoritetet e qytetit kanë miratuar masat e para në kuadër të reformës së quajtur “Reforma 2030”, me synimin për të luftuar diskriminimin brenda policisë, për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të forcuar besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë.

Sipas transmetuesit publik zviceran SRF, reforma bazohet në raportin përfundimtar të André Duvillard, ish-komandant i policisë së Neuchâtelit dhe ish-delegat i Rrjetit Kombëtar të Sigurisë së Zvicrës.

Një nga masat kryesore është organizimi i trajnimeve të detyrueshme për drejtuesit e policisë, me fokus parandalimin e diskriminimit, përmirësimin e komunikimit me njerëz me prejardhje të ndryshme kulturore dhe menaxhimin e konflikteve.

Trajnimet do të testohen fillimisht në tri aktivitete pilot gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ndërsa në vitet 2027 dhe 2028 pritet të përfshihen të gjithë drejtuesit e policisë.

Programi është hartuar në bashkëpunim me Organizatën Zvicerane për Ndihmë ndaj Refugjatëve, Ligën Ndërkombëtare kundër Racizmit dhe Antisemitizmit, si dhe një njësi të specializuar brenda policisë.

Në kuadër të reformës, qyteti ka riorganizuar edhe menaxhimin e burimeve njerëzore, duke e integruar më ngushtë në drejtimin e policisë.

Synimi është përmirësimi i mbështetjes për punonjësit, identifikimi i kuadrove të reja dhe përcjellja më e mirë e policëve në trajnim, transmeton Telegrafi.

Komandanti i përkohshëm i policisë së Lozanës, Stéphane Volper, ka vendosur gjithashtu të krijojë kanale më të drejtpërdrejta komunikimi me pjesëtarët e trupës.

Deri në fund të vitit janë planifikuar tetë takime me drejtuesit dhe punonjësit e policisë, për të diskutuar problemet e brendshme dhe për të përmirësuar bashkëpunimin.

Policia e Lozanës është përballur me kritika të shumta pas zbulimit të mesazheve raciste dhe seksiste në grupe WhatsApp të pjesëtarëve të saj. Në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe vdekja e dy të rinjve që po udhëtonin me skuter dhe që humbën jetën gjatë një ndjekjeje policore, si dhe vdekje të tjera gjatë ndërhyrjeve të kontestuara të policisë.

Skandalet kanë pasur edhe pasoja në drejtimin e institucionit. Olivier Botteron, ish-komandanti i policisë së qytetit, u largua para kohe nga detyra në korrik të vitit 2026, pasi dorëheqjen e kishte paralajmëruar në shtator të vitit 2025.

Përmes “Reformës 2030”, autoritetet synojnë të trajtojnë problemet e diskriminimit dhe organizimit të brendshëm, si dhe të rikthejnë besimin e publikut te policia./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.