KORREKT / SOT25 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Në Zvicër kërkohet ndalimi i shitjes së mishit të kontaminuar me PFAS

Në Zvicër kërkohet ndalimi i shitjes së mishit të kontaminuar me PFAS

Mishi i kontaminuar me substancat kimike PFAS nuk duhet të lejohet më në treg. Kështu ka deklaruar Sara Stalder, drejtoreshë e organizatës zvicerane për mbrojtjen e konsumatorëve, duke kërkuar masa të njëjta dhe kontrolle më të rrepta në të gjitha kantonet e Zvicrës.

Në një intervistë për televizionin publik zviceran SRF, Stalder ka kritikuar dallimet në mënyrën se si kantonet kontrollojnë praninë e PFAS në produktet e mishit.

Sipas saj, kantoni St. Gallen kryen kontrolle më të rrepta dhe ndalon shitjen e produkteve që tejkalojnë kufijtë e lejuar, ndërsa në kantone të tjera kontrollet janë më të kufizuara.

Ajo ka kërkuar që Qeveria Federale të marrë përgjegjësinë për vendosjen e rregullave të unifikuara në nivel kombëtar, duke theksuar se konsumatorët duhet të kenë të njëjtën mbrojtje, pavarësisht kantonit ku jetojnë apo vendit nga vjen mishi, transmeton Telegrafi.

Një nga çështjet më të debatueshme është propozimi për përzierjen e mishit të kontaminuar me PFAS me mish të pakontaminuar, në mënyrë që produkti përfundimtar, si mishi i bluar apo sallami, të jetë brenda kufijve ligjorë.

Stalder e ka kundërshtuar këtë praktikë, duke argumentuar se PFAS janë substanca shumë të qëndrueshme, të cilat shpërbëhen jashtëzakonisht ngadalë dhe mund të grumbullohen në organizmin e njeriut.

Ajo ka kërkuar gjithashtu që fermerët, fermat e të cilëve janë prekur nga ndotja, të marrin kompensim financiar, pasi në shumë raste nuk janë përgjegjës për këtë situatë.

PFAS, të njohura si “kimikate të përjetshme”, mund të përhapen përmes ujit dhe tokës së ndotur, duke përfunduar në zinxhirin ushqimor.

Në Zvicër dhe Bashkimin Evropian ekzistojnë kufij ligjorë për praninë e këtyre substancave në mish, peshk, vezë dhe produkte të tjera ushqimore. Kur tejkalohen kufijtë, produktet nuk mund të shiten.

Sipas Stalder, mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve duhet të jetë prioritet, ndërsa produktet ushqimore duhet të përmbushin standardet e sigurisë, pavarësisht nëse janë prodhuar në Zvicër apo importuar nga jashtë./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.