Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës, bëri të ditur se sot (29 nëntor) me ndjenjë të thellë falënderimi ndaj Zotit, përkujton dhe feston 3-vjetorin e Meshës së Parë Ortodokse në gjuhën shqipe, të kremtuar më 28 nëntor 2023, në fshatin Rakinicë, Komuna e Podujevës, në Kishën e Shën Mihallit.
Kjo Kishë vlerëson se kjo datë shënon një moment historik për Kishën tonë dhe për besimtarët ortodoksë shqiptarë në Kosovë: për herë të parë, Liturgjia Hyjnore u kremtua në gjuhën shqipe në këtë tempull të lashtë, duke i kthyer lutjes dinjitetin e saj, në gjuhën e popullit që i përket këtij vendi.
Meshën Hyjnore të asaj dite historike e drejtoi At Nikolla Xhufka, prift nga Elbasani, i cili, me bekimin e Zotit, me përkushtim dhe sakrificë, u bë nismëtari i kësaj vepre të shenjtë. Ai më pas u thirr nga populli besnik dhe u bë Kryepeshkop i gjithë Kosovës, duke marrë mbi supe barrën e rëndë e udhëheqjes shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës e konsideron Kishën e Shën Mihallit në Rakinicë si pjesë të trashëgimisë shpirtërore, historike dhe kombëtare të popullit shqiptar ortodoks në Kosovë.
Me këtë rast, Kisha i lutet me përulësi dhe me përgjegjësi shtetit të Kosovës, institucioneve të tij kompetente dhe të gjithë faktorëve vendimmarrës, që ta kthejnë këtë Kishë në gjirin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës, në mënyrë që ajo të shërbejë siç i takon: si shtëpi lutjeje, si vatër besimi dhe si vend ku Liturgjia të kremtohet në gjuhën shqipe, për besimtarët shqiptarë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës vë në dukje se kjo kërkesë nuk është kërkesë urrejtjeje, as përçarjeje, por kërkesë drejtësie, besimi dhe lirie fetare, duke theksuar se çdo besimtar ka të drejtë të lutet në gjuhën e vet, në kishën e vendit të vet.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës ndërfetare, dialogut dhe respektit të ndërsjellë, por edhe e vendosur në mbrojtjen e identitetit dhe të së drejtës së besimtarëve të saj.
Kjo Kishë, duke falënderuar Zotin për këto tre vite të bekuara, lutet që Kisha e Shën Mihallit në Rakinicë nën drejtimin e Kryepeshkopit të Kosovës të hapë sërish dyert e saj për Liturgjinë në shqip, për të gjithë besimtarët, duke u shprehur: Lavdi Zotit për gjithçka! Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar!”

