Kryeministri në detyrë , Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesen Rajonale të UNHCR-së, për Evropën Qendrore, Nicole Epting.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në takim është diskutuar për çështjet që lidhen me refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat pa shtetësi, si dhe për përgjegjësinë institucionale dhe ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Kryeministri në detyrë Kurti e njoftoi përfaqësuesen Epting me politikat dhe programet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të zbatuara nga ministritë e linjës, të cilat adresojnë nevojat dhe të drejtat e këtyre kategorive, përfshirë strehimin, mbështetjen sociale dhe qasjen në shërbime publike”, thuhet në njoftim.
Gjatë bashkëbisedimit, sipas njoftimit, u theksua rëndësia e qasjes humane dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
“Trajtimi i këtyre çështjeve duhet të mbetet gjithmonë i udhëhequr nga parimet e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit humanitar, duke vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të politikave publike dhe angazhimit institucional”, theksohet tutje.
Në fund të takimit është diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit, Kurti ka deklaruar se aktualisht janë 1 mijë e 565 persona të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa ka potencuar nevojën për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel.
Ai po ashtu ka nënvizuar se progresi në këtë proces kërkon hapjen e arkivave nga Serbia, përfshirë arkivin e Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili, sipas Qeverisë, mbetet i klasifikuar nga autoritetet serbe deri në vitin 2044. /Telegrafi/