Në Sallagrazhdë të Suharekës është zbuluar lapidari kushtuar veprimtarit dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Milazim Vata, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit.
Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se familja Vata ka dhënë kontribut të madh para dhe gjatë luftës, duke theksuar se kjo familje vazhdon të japë kontribut edhe sot.
Ai përmendi rëndësinë e trashëgimisë së kësaj familjeje, duke filluar nga Fadil Vata, dhe tha se vepra e tyre duhet të kujtohet ndër breza.
“Faleminderit për kontributin që ka dhënë para luftës. Faleminderit për kontributin që ka dhënë gjatë luftës. Dhe faleminderit që po e jepni kontributin edhe sot”, tha Muharremaj.
Ndërsa komandanti Sadik Halitjaha, duke kujtuar angazhimin e Milazim Vatajt në luftë, tha se ai ishte bashkuar që në ditët e para dhe kishte kërkuar të ishte në vendin më të rrezikshëm, ku mund të jepte kontributin më të madh. Sipas Halitjahës, pavarësisht problemeve shëndetësore, Vataj nuk ishte shkëputur nga vija e zjarrit.
“Edhe pse ka pasur vështirësi shëndetësore, mjeku tri herë i ka dhënë leje për të shkuar me pushuar se ishte nga veshkat i sëmurë, ai asnjë çast nuk u shkëput nga pika që i thoshim ne, nga kanali i luftës, nga vija e zjarrit”, deklaroi Halitjaha. Ai e vlerësoi sakrificën e Vatajt si shembull jo vetëm për batalionin e dytë, por edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në emër të familjes, djali i Milazim Vatajt, Valon Vata, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe respektin e treguar ndaj familjes. Video: “Për neve është një nder i jashtëzakonshëm me këtë pjesëmarrje kaq të madhe nga ana juaj, dhe një falënderim i veçantë shkon edhe për heroin e familjes tonë, i cili na ka shtruar një rrugë që ne me u ndier krenarë gjatë gjithë jetës”, tha Vata.
Pas zbulimit të lapidarit, në orën 13:30, në Dolloc të Suharekës do të mbahet edhe Akademia Përkujtimore kushtuar Milazim Vatajt.

