Në Danimarkë është mbajtur takimi i parë i grave shqiptare në kuadër të nismës për krijimin e Rrjetit të Grave Shqiptare, një platformë që synon të nxisë bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimin e rolit të grave në diasporë.
Takimi u organizua nga Misioni Konsullor i Republikës së Kosovës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Danimarkë, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Fadil Zendeli.
Aktiviteti u mbajt në restorantin “Për Ty” në Kopenhagë, në bashkëpronësi të Irda Ruçajt dhe Ganimete Berishës, sipërmarrja e të cilave u veçua si shembull i kontributit të grave shqiptare në zhvillimin e bizneseve dhe jetën ekonomike në Danimarkë.
Gjatë takimit, pjesëmarrëset shkëmbyen ide dhe përvoja, si dhe diskutuan për mundësitë e rritjes së rolit të grave shqiptare në jetën shoqërore, ekonomike dhe publike.
Nisma për krijimin e rrjetit synon të ndërtojë një hapësirë të përbashkët për bashkëpunim, solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë, duke forcuar lidhjet mes grave shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Danimarkë./Telegrafi/

