Përfaqësues të institucioneve, sektorit privat, organizatave dhe ekspertë të bujqësisë kanë diskutuar për sfidat që ndryshimet klimatike po paraqesin për sektorin bujqësor në Kosovë.
Në tryezën e diskutimit me temën “Veprimet për Ndryshimet Klimatike në Bujqësi – Zgjidhje të Përbashkëta për Kosovën”, të organizuar më 29 shtator, u prezantuan gjetje dhe rekomandime të dala nga konsultimet me akterët e këtij sektori.
Diskutimi u përqendrua në nevojën për koordinim më të madh ndërmjet institucioneve dhe akterëve të bujqësisë, forcimin e kapaciteteve teknike dhe zgjerimin e praktikave që mund të ndihmojnë fermerët t’u përshtaten kushteve klimatike.
Gjatë tryezës u kërkua që ndryshimet klimatike të trajtohen si prioritet strategjik në bujqësi, ndërsa u theksua edhe nevoja për forcimin e shërbimeve këshilluese dhe digjitale për fermerët.
Ndër hapat e propozuar ishte edhe hartimi i një Plani Kombëtar të Veprimit për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike në Bujqësi.
Po ashtu, u propozua krijimi i një grupi të përhershëm punues për ndryshimet klimatike, i cili do të koordinohej nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe caktimi i personave përgjegjës për këtë fushë në institucionet përkatëse.
Pjesëmarrësit diskutuan edhe për nevojën që masat për adresimin e ndryshimeve klimatike të përfshihen në programet e mbështetjes dhe investimeve në bujqësi, ndërsa u kërkua rritje e financimit për projekte pilot, kërkim dhe inovacion.
Në kuadër të aktivitetit u prezantuan edhe dy projekte pilot që synojnë ofrimin e zgjidhjeve konkrete për fermerët.
Kujtim Lepaja, drejtor ekzekutiv i “Mjedra e Kosovës”, prezantoi projektin mbi efektivitetin e ftohjes me spërkatës në reduktimin e stresit termik te kultivimi i mjedrës.
Ndërsa Zana Lika, zyrtare e projekteve në ORGANIKA, prezantoi përvojat dhe rezultatet nga përdorimi i bimëve mbuluese në parcelat demonstruese.
Aktiviteti u organizua nga AgroDev Kosovo, me mbështetje të projektit EREA, i cili implementohet nga Caritasi Zviceran në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim. /Telegrafi/