Ndryshime në udhëheqësinë e Policisë së Kosovës pritet të ketë në disa prej departamenteve kryesore të këtij institucioni.
Sipas raportimeve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nisur procesin e ndryshimeve në strukturën udhëheqëse të forcave të rendit, ku nga shtatë departamentet e Policisë së Kosovës, në pesë prej tyre janë emëruar drejtues të rinj.
Sipas informacioneve të raportuara, Departamenti Kufitar do të udhëhiqet nga Veton Elshani, ndërsa Departamenti i Hetimeve nga Fehmi Xhata.
Në krye të Departamentit të Inteligjencës është emëruar Arben Paqarizi, kurse Departamentin e Burimeve Njerëzore pritet ta udhëheqë kolonel Agron Rukiqi.
Ndërkaq, kolonel Kamer Januzaj do të jetë në krye të Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse.
Ndryshime raportohet se do të ketë edhe në nivelin e drejtorive rajonale. Luan Keka është emëruar drejtor i Policisë për rajonin e Gjilanit.
Po ashtu, një nga emrat që raportohet se mund të preket nga këto lëvizje është kolonelja Afërdita Mikullovci, e cila për tetë vjet ka udhëhequr Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.
Sipas raportimeve, Mikullovci pritet të transferohet në strukturën e trafikut rrugor. /Lajmi.net/

