KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit viziton Serbinë

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit viziton Serbinë

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, po qëndron në Beograd, njoftoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi.

“Presim me kënaqësi diskutime përmbajtjesore me partnerët tanë për të ardhmen e Serbisë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë e reja për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Serbi lidhur me vizitën e tij.

Ambasada nuk sqaroi se me kë do të takohet Hanrahan gjatë qëndrimit të tij në Beograd.

Përfaqësuesit e Listës Studentore – subjektit që i fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit – njoftuan më herët se do të takohen me përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe me përfaqësues të Ambasadës së Italisë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Tema të diskutimit thanë se do të jenë sundimi i ligjit dhe energjetika.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë, të dëgjojmë mendime të ndryshme dhe të ndërtojmë partneritete, por vendimet për të ardhmen e Serbisë do t’i marrim në mënyrë të pavarur dhe me përgjegjësi, duke u udhëhequr vetëm nga interesat e qytetarëve të saj. Në marrëdhëniet ndërkombëtare duam partneritet, jo nënshtrim; duam bashkëpunim, jo bindje të verbër”, u tha në njoftimin e Lëvizjes Studentore.

Vizita e Hanrahanit zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik për Serbinë, e cila po përgatitet për ndërrimin e pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.

Lista Studentore fitoi 140 nga 250 vendet në Kuvend, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë, ndërsa lista e udhëhequr nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiç mori 103 mandate.

Rezultati i dha fund sundimit shumëvjeçar të Partisë së tij Përparimtare Serbe, e cila ishte në pushtet që nga viti 2012.

Fitorja e studentëve erdhi pas një vale protestash kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies.

Ndryshimi i pushtetit pritet të shënojë edhe një provë për politikën e jashtme të Serbisë, e cila gjatë udhëheqjes së Vuçiçit ka synuar të ruajë marrëdhëniet me Perëndimin, por pa hequr dorë nga lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur integrimin evropian të Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, por marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Beogradit janë ndikuar, ndër vite, edhe nga mospajtimet për politikën rajonale dhe raportet e Serbisë me Moskën.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.