Klinika e Sëmundjeve Infektive ka regjistruar vdekjen e gjashtë të një pacienti të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor.
Drejtori i Klinikës, Adil Cana, thotë se pacienti kishte një gjendje të përgjithshme jashtëzakonisht të rëndë.
“Dje pasdite, vdiq një pacient tjetër. Bëhet fjalë për pacient 72-vjeçar i cili ishte shtruar në spital 15 ditë më parë në Klinikë në një gjendje të përgjithshme jashtëzakonisht të rëndë, me pamje të rëndë klinike. Pavarësisht të gjitha masave intensive të marra në njësinë e kujdesit intensiv, dje pasdite ai pati rezultat fatal”, tha drejtori Cana.
Klinika për Sëmundje Infektive deri më tani ka shtruar në spital 57 pacientë.
Nga këta, Drejtori Cana thotë se 27 janë shëruar, 18 pacientë janë duke u trajtuar aktualisht, nga të cilët 15 e kanë konfirmuar laboratorikisht virusin dhe të gjithë janë në formë neuroinvazive.
