Xhirimet e filmit të ri aksion Miami Vice ’85, ku luajnë Michael B. Jordan dhe Austin Butler, u ndërprenë të premten në New York, pas një incidenti me një burrë që dyshohet se mbante një thikë kasapi.
Sipas Departamentit të Policisë së New York-ut, rreth orës 23:15, një mosmarrëveshje verbale mes një personi pranë sheshit të xhirimit dhe 23-vjeçarit Alex Perez përfundoi me nxjerrjen e një thike.
Personi tjetër u frikësua për sigurinë e tij, ndërsa policia mbërriti në vendngjarje dhe arrestoi Perez. Thika u sekuestrua dhe nuk raportohet për të lënduar, shkruan DailyMail.
I riu u akuzua për kërcënim dhe posedim të paligjshëm të një arme. Nuk dihet nëse Michael B. Jordan, 39 vjeç, ndodhej në shesh gjatë incidentit.
Përfaqësuesit e aktorit dhe regjisorit Joseph Kosinski nuk kishin komentuar ende ngjarjen.
Miami Vice ’85 është një version i ri i serialit të njohur të viteve të 80-ta, ku luanin Don Johnson dhe Philip Michael Thomas.
Në filmin e ri, Butler interpreton detektivin Sonny Crockett, ndërsa Jordan luan Ricardo Tubbs.
Dy personazhet maskohen si kriminelë për të depërtuar në rrjetet kriminale të Floridës së Jugut.
Në kast janë gjithashtu Walton Goggins, John Leguizamo, Haley Lu Richardson, Camila Morrone, Dominic Sessa dhe Danny Ramirez.
Filmi pritet të dalë në kinema më 19 maj 2028, pasi data fillestare e publikimit u shty nga gushti i vitit 2027. /Telegrafi/

