Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka njoftuar se Ndërmarrja Publike “Dardana” është pajisur me mjete të reja pune në vlerë prej rreth 40 mijë eurosh.
Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj ka thënë se që nga themelimi i ndërmarrjes është punuar në zgjerimin e veprimtarisë dhe rritjen e kapaciteteve të saj.
“Që nga krijimi i Ndërmarrjes Publike ‘Dardana’, kemi punuar vazhdimisht me një synim, zgjerimin e veprimtarisë dhe rritjen e kapaciteteve të saj”, ka shkruar Rahimaj.
Sipas tij, investimi synon që ndërmarrja të ofrojë shërbime më cilësore dhe efikase për qytetarët e Kamenicës, ndërsa pajisjet e reja do të lehtësojnë edhe punën e punëtorëve.
“Këto pajisje do t’i mundësojnë ndërmarrjes ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe efikase, do ta lehtësojnë punën e punëtorëve, si dhe do të kontribuojnë në zgjerimin e gamës së shërbimeve, përfshirë edhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik”, ka deklaruar ai.
Në mesin e pajisjeve të reja janë multikultivatorë me pajisje shtesë, mulçerë, plugje, spërkatëse dhe kosë për traktorë, shpërndarëse plehu, cisternë, si dhe një kombi me korpë.
Rahimaj ka thënë se pajisjet e reja kapin vlerën e afër 40 mijë eurove.
“Jemi të lumtur që po punojmë çdo ditë që ndërmarrja jonë të marrë formë, e punëtorëve tanë aty, punë të mbarë!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/