Këngëtari i njohur amerikan i rock ‘n’ roll-it, Freddy “Boom Boom” Cannon, është ndarë nga jeta pas një beteje të shkurtër me kancerin.
Artisti, i cili u bë i famshëm në fund të viteve të 50-ta me hitet “Tallahassee Lassie” dhe “Palisades Park”, mbylli sytë në moshën 89-vjeçare, ndërsa lajmi u konfirmua nga miku i tij i ngushtë dhe producenti i iHeartRadio, Tom Cuddy.
Sipas medieve amerikane, Cannon kaloi ditët e fundit në një qendër kujdesi paliativ në Kaliforni, i rrethuar nga familjarët e tij, përfshirë fëmijët Conny Weber dhe Billy Cannon, shkruan DailyMail.
Ai konsiderohej një nga artistët që ndihmoi në formësimin e skenës së rock ‘n’ roll-it në periudhën mes dominimit të Elvis Presley dhe shpërthimit të fenomenit The Beatles.
Freddy Cannon ishte një emër i rregullt në emisionin legjendar “American Bandstand” të Dick Clark, ku u bë i njohur për performancat plot energji.
Tom Cuddy e kujtoi si një artist që “nuk këndonte balada”, por arrinte gjithmonë ta ngrinte publikun në këmbë me ritmet e tij të fuqishme.
Edhe vetë Dick Clark kishte deklaruar se e zgjidhte shpesh Cannon për të hapur koncertet, sepse dinte se ai do ta ndizte atmosferën që në minutat e para.
Ndikimi i Cannon në muzikë u vlerësua edhe nga emra të mëdhenj të industrisë. Mick Jagger ka pranuar se hiti “Tallahassee Lassie” ishte një nga frymëzimet për këngën “Brown Sugar” të The Rolling Stones, ndërsa shkrimtari Stephen King e përmendi artistin në disa prej veprave të tij.
Freddy Cannon lë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e rock ‘n’ roll-it dhe një repertor këngësh që vazhdon të kujtohet edhe sot. /Telegrafi/
