Aktorja amerikane, Ann Blyth, një nga figurat e fundit të mbetura nga Epoka e Artë e Hollywood-it, është ndarë nga jeta në moshën 98-vjeçare.
Sipas familjes së saj, ajo ndërroi jetë më 24 qershor për shkaqe natyrore, vetëm pak javë para se të festonte ditëlindjen e 99-të.
Blyth u bë e njohur në mbarë botën falë interpretimit të Vedës në filmin klasik “Mildred Pierce” të vitit 1945, ku luajti përkrah Joan Crawford, shkruan DailyMail.
Performanca e saj i solli një nominim për çmimin Oscar në kategorinë e aktores më të mirë në rol dytësor, duke e kthyer në një nga talentet më premtuese të kohës.
Karriera e saj zgjati më shumë se shtatë dekada. Fillimisht u bë e njohur si fëmijë në programe radiofonike, përpara se të kalonte në Broadway dhe më pas në Hollywood.
Përveç aktrimit, Ann Blyth ishte edhe një soprano e talentuar, duke interpretuar në një sërë muzikalësh të njohur të viteve 1950, si “Kismet”, “The Great Caruso”, “Rose Marie” dhe “The Student Prince”.
Pas një karriere të suksesshme në kinema, ajo u tërhoq nga ekrani dhe iu përkushtua jetës familjare.
Ann Blyth ishte e martuar për pesë dekada me mjekun James McNulty dhe mbetet një nga emrat më të respektuar të historisë së kinemasë amerikane, me një trashëgimi që vazhdon të vlerësohet edhe sot. /Telegrafi/
