Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të investojë rreth 2.77 milionë euro për realizimin e Projektit të Banimit Social Adekuat në Komunën e Vushtrrisë.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka bërë të ditur se për këtë projekt ka nënshkruar marrëveshje me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
“Sot, bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, nënshkruam marrëveshjen për realizimin e Projektit të Banimit Social Adekuat, me një investim prej rreth 2.77 milionë euro”, ka shkruar Pacolli-Dalipi.
Sipas saj, në kuadër të projektit do të ndërtohen 34 njësi të reja të banimit social, ndërsa do të mbështeten edhe 13 familje të cenueshme.
Këto familje do të përfitojnë përmes renovimit të gjashtë shtëpive dhe rindërtimit të shtatë të tjerave.
“Në total, 47 familje/ndërhyrje banimi do të përfitojnë nga ky projekt”, ka deklaruar ministrja në detyrë.
Pacolli-Dalipi ka theksuar se investimi synon krijimin e kushteve më të mira të banimit për familjet në nevojë.
“Ky është investim në një strehim më dinjitoz, më të sigurt dhe më të përshtatshëm për familjet që kanë më së shumti nevojë”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/
