NATO ka zhvilluar nga 19 deri më 30 tetor në Letoni eksperimentin Digital Backbone eXperimentation (DiBaX 2026), me synim forcimin e ndërveprimit mes forcave aleate përmes teknologjive të avancuara 5G dhe komunikimeve satelitore.
Eksperimenti u udhëhoq nga Komanda Aleate e Transformimit të NATO-s (ACT), me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Letonisë dhe Forcave të Armatosura Kombëtare.
DiBaX 2026 u përqendrua në tri fusha kryesore: sigurimin e komunikimit dhe komandimit që nga fillimi i një krize, garantimin e qëndrueshmërisë së komunikimeve në kushte të bllokimit të sinjalit dhe përdorimin e rrjeteve 5G për zbulimin pasiv të objekteve në lëvizje.
Eksperimenti përfshiu edhe testimin e komunikimeve alternative përmes satelitëve, teknologjisë 5G Direct-to-Device dhe lidhjeve troposferike, me fokus në përballimin e kërcënimeve hibride, si depërtimet e dronëve dhe incidentet me kabllot nënujore në Detin Baltik.
Në aktivitet morën pjesë Letonia, Lituania, Gjermania, SHBA-ja, Kanadaja dhe Finlanda, si dhe disa struktura të NATO-s, përfshirë DIANA dhe NCIA.
Admirali Pierre Vandier, Komandanti Suprem i Aleatëve për Transformimin, tha se lufta në Ukrainë ka dëshmuar nevojën që NATO të përshtatet më shpejt me zhvillimet teknologjike dhe ndryshimin e natyrës së luftës.
Ai theksoi se sfida kryesore pas eksperimenteve është zbatimi praktik i teknologjive të testuara, përmes vendimeve konkrete, kontratave dhe prodhimit në shkallë të gjerë, në mënyrë që zgjidhjet inovative të arrijnë në terren. /Telegrafi/

