SHBA-ja dhe Danimarka kanë arritur një marrëveshje për sigurinë e Grenlandës, duke synuar t’i japin fund krizës diplomatike të shkaktuar nga kërcënimet e Donald Trump për marrjen e territorit arktik. NATO e ka mirëpritur marrëveshjen, ndërsa Trump thotë se ajo i jep SHBA-së “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë e Grenlandës.
Trump deklaroi se marrëveshja do t’i japë Uashingtonit mundësinë të ndërmarrë “çfarëdo që është e nevojshme” për mbrojtjen e Grenlandës dhe se asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk do të mund të mbajë prani ushtarake apo të bëjë investime të ndjeshme në ishull pa miratimin e shkruar amerikan.
Teksti i marrëveshjes ende nuk është publikuar, ndërsa pritet të nënshkruhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme dhe më pas të kalojë procedurat parlamentare, transmeton Telegrafi.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Grenlandës Jens-Frederik Nielsen e kanë përshëndetur marrëveshjen, duke thënë se ajo forcon sigurinë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, ndërsa njeh sovranitetin e Danimarkës dhe të drejtën e popullit grenlandez për vetëvendosje.
Sipas një zyrtari amerikan të Departamentit të Shtetit, marrëveshja parashikon të drejta të përhershme për qasje, bazim dhe fluturime amerikane mbi Grenlandë.
SHBA-ja do të ketë gjithashtu mundësi të ndërtojë struktura të reja ushtarake pa kërkuar miratim nga Grenlanda apo Danimarka. Marrëveshja parashikon edhe ndalimin e bazave ushtarake të vendeve jashtë NATO-s dhe kufizime ndaj investimeve nga shtete rivale në sektorë të ndjeshëm.
NATO tha se marrëveshja do të ndihmojë në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit në këtë rajon strategjik.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se marrëveshja është pozitive pasi, sipas tij, respekton sovranitetin danez dhe të drejtën ndërkombëtare.
Trump kishte këmbëngulur prej muajsh se Groenlanda është thelbësore për sigurinë amerikane, duke përmendur kërcënimet nga Rusia dhe Kina, pozicionin strategjik të ishullit dhe rezervat e mëdha të mineraleve të rralla.
Megjithatë, në Grenlandë mbeten shqetësime për përmbajtjen e marrëveshjes. Deputetja Naaja Nathanielsen tha se është thelbësore që çdo marrëveshje të ruajë të drejtën e grenlandezëve për vetëvendosje.
Ndërkohë, Trump nuk ka pretenduar se marrëveshja do të sjellë ndryshim të territorit apo kalimin e Grenlandës nën sovranitetin amerikan. /Telegrafi/