Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi është dërguar në Klinikën Emergjente për ndihmë mjekësore, pas bastisjes së zyrës së tij.
Nga QKUK-ja treguan për Paparacin se Krasniqi nuk gjendet më aty. Ai sipas avokatit të tij, Taulant Ferizi, është dërguar në QKUK pas i është përkeqësuar gjendja shëndetësore për shkak të “numrit të madh të forcave policore”, transmeton Paparaci.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës konfirmoi se ka kryer sot bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës ka zhvilluar një kontroll në KEK dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Kurse, KEK-u ka thënë se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për këtë çështje.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pas një kontrollë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle. Lidhur me këtë, KEK si gjithmonë mbetet e hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Bastisja në KEK është bërë nga hetues të krimeve ekonomike. Motivet janë rreth një tenderi për njërin prej termocentraleve.