Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e saj.
Në një postim në Facebook, Nagavci shkroi se hetimi do të përfshijë trajtimin e denoncimeve dhe paralajmërimeve, vlerësimin e rrezikut, zbatimin e urdhrave të mbrojtjes dhe veprimet e Policisë, Prokurorisë e gjykatave.
“Komisioni, me mandat gjashtëmujor, do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e të gjithë zinxhirit institucional përgjegjës për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së Arlinda Zekajt, nga trajtimi i denoncimeve dhe paralajmërimeve te vlerësimi i rrezikut, zbatimi i urdhrave të mbrojtjes dhe veprimet e Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Hetimi do të përfshijë edhe funksionimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Brenda 60 ditëve nga themelimi, Komisioni parashihet t'i paraqesë Kuvendit raportin e përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë veprim të menjëhershëm”, shkroi Nagavci.
Sipas saj, komisioni do të ketë mandat gjashtëmujor, ndërsa brenda 60 ditëve nga themelimi pritet t’i paraqesë Kuvendit raportin e përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë veprim të menjëhershëm.
“Asnjë neglizhencë, vonesë apo mosveprim institucional nuk duhet të mbetet pa u shqyrtuar. Duhet të zbardhet se kush ka pasur detyrimin të veprojë, çfarë veprimesh janë ndërmarrë dhe ku ka dështuar mbrojtja institucionale. Bazuar në gjetjet e hetimit, do të kërkojmë masa konkrete, adresimin e përgjegjësive tek organet kompetente dhe përmirësimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e viktimave të dhunës. Institucionet duhet të veprojnë para se të jetë vonë. Heshtja, neglizhenca dhe papërgjegjësia nuk mund të tolerohen!”, shkroi shefja e GP-së të VV-së./Klankosova.tv

