Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci ka reaguar në lidhje me këngën nacionaliste serbe që është dëgjuar në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, e organizuar nga Komisioni Evropian.
Ajo ka thënë se kjo është këngë e vitit 1989 e kohës kur Millosheviqi po ia rrënonte Kosovës autonominë dhe po përjashtonte popullin tonë nga shkollat, spitalet dhe vendet e punës.
“Sipas mediave serbe, kënga u interpretua për herë të parë në Manastirin e Graçanicës, në mbrëmjen para tubimit në Gazimestan, me rastin e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, ku Millosheviqi mbajti fjalimin e tij luftënxitës. Mesazhi i saj është i qartë: Kosova si tokë serbe që nuk dorëzohet, dhe pikërisht ky diskurs i parapriu luftës, dëbimeve dhe masakrave”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka thënë se BE-ja me të drejtë u kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor të ballafaqohen me të kaluarën dhe të heqin dorë nga retorika nacionaliste, por ka shtuar se i njëjti standard duhet të vlej edhe për ngjarjet që organizon vetë ajo.
“E mbështes plotësisht reagimin e institucioneve tona, të cilat me të drejtë kërkuan sqarim nga Komisioni Evropian. Ne e duam Evropën, dhe pikërisht për këtë i kërkojmë të jetë në lartësinë e vlerave të saj. Kosova do ta vazhdojë rrugën e saj evropiane me vendosmëri, me reforma dhe me dinjitet. Sepse Evropa jonë është Evropa e së vërtetës, jo e këngëve që na mohojnë”, ka shtuar Nagavci. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:

