Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës dhe sjelljes së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi, Nagavci e ka cilësuar të papranueshme sjelljen e Zemajt, duke theksuar se gjuha fyese dhe agresiviteti nuk kanë vend në institucionet e vendit, por as në shoqëri.
Ajo ka thënë se kjo nuk është hera e parë që deputeti Zemaj shfaq sjellje të tilla, duke i cilësuar ato si të përsëritura dhe dëshmi të mungesës së kulturës së debatit, edukatës dhe respektit për mendimet ndryshe.
Sipas Nagavcit, një gjuhë e tillë përcjell mesazh të gabuar në shoqëri dhe krijon një shembull negativ për brezat e rinj, duke rrezikuar që fyerjet dhe agresiviteti të normalizohen si pjesë e debatit politik.
Në reagimin e saj, ajo ka kërkuar që debati politik të zhvillohet përmes argumenteve dhe jo përmes fyerjeve, shpifjeve apo sulmeve personale.
Postimi i plotë:
Gjuha dhe sjellja e përdorur sot nga deputeti Armend Zemaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë të papranueshme dhe nuk kanë vend jo vetëm në një institucion ku duhet të mbizotërojnë argumenti, përgjegjësia dhe respekti, por askund.
Kjo nuk është hera e parë që Armend Zemaj shfaq një sjellje të tillë. Agresiviteti dhe gjuha fyese janë sjellje të përsëritura, që dëshmojnë mungesë të kulturës së debatit, të edukatës dhe të respektit për qëndrimet ndryshe.
Një gjuhë e tillë përcjell një mesazh të gabuar në shoqëri dhe jep një shembull të keq, veçanërisht për brezat e rinj, duke rrezikuar normalizimin e fyerjes dhe agresivitetit si mënyrë e debatit politik.
Përkushtimi i secilës grua për të përfaqësuar qytetarët, për të mbrojtur qëndrimet e saj dhe për të ushtruar përgjegjësitë institucionale nuk mund të cenohet nga fyerjet apo përpjekjet për frikësim.
Më vjen keq për atë që është e çfarë përfaqëson, por nuk na ndal e as na intimidon. Jo me fjalë fyese, jo me shpifje, jo me sulme rrugaçërie. Gratë në politikë nuk kanë nevojë për lejen e askujt për ta ngritur zërin, për të mbajtur qëndrime dhe për të ushtruar mandatin e tyre me dinjitet.
Debati politik duhet të zhvillohet me argumente, jo me fyerje e frikësim.

