Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se LVV ka ndërmarrë një hap të ri për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar partitë më të mëdha opozitare të propozojnë kandidatura konsensuale.
Nagavci ka bërë të ditur se LVV i ka ftuar PDK-në dhe LDK-në që të dalin me nga tri propozime të kandidaturave “unifikuese” jashtë skenës politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar.
Ajo ka thënë se, përkundër deklaratave publike në media dhe rrjete sociale nga PDK dhe LDK, deri më tani LVV nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret lidhur me ofertën e saj për një president konsensual.
“Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte”, ka shkruar Nagavci, duke ftuar edhe njëherë PDK-në dhe LDK-në që, sipas saj, të kontribuojnë në tejkalimin e situatës përmes propozimit të tre emrave dhe sigurimit të nënshkrimeve të deputetëve të tyre.
Nagavci ka theksuar se qëllimi është t’i jepet fund krizës dhe t’u ofrohet qytetarëve stabilitet institucional./Telegrafi/