Prishtina është bërë nikoqire e një mbrëmjeje gala kushtuar artit, kulturës dhe muzikës turke në Ballkan, e cila po mbahet në Klan Arena, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur nga Turqia dhe Kosova.
Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda nga vendi i ngjarjes, interesimi për këtë organizim ka qenë i madh, ndërsa në mesin e të pranishmëve ka pjesëtarë të komunitetit turk dhe atij shqiptar.
Në Klan Arena është duke u mbajtur mbrëmja gala, me pjesëmarrje mjaft të lartë. Në mesin e këtyre pjesëmarrësve, shumica janë nga komuniteti turk, por pa munguar edhe ata nga komuniteti shqiptar. E krejt këtyre iu janë drejtuar me disa këngë shumë artistë të njohur nga Turqia, por edhe nga Kosova, të cilët kanë kënduar dhe po vazhdojnë të këndojnë me këngë turke, por nuk kanë munguar as këngët shqipe, pasi edhe pjesëmarrësit janë shqiptarë, disa prej tyre", ka thënë Hoda.
Ajo tha se artistëve në fund do t'iu jepen edhe disa mirënjohje në emër të Rasim Salit, i cili ka qenë këngëtar dhe një kohë të gjatë të jetës së tij e ka kaluar në Kosovë – andaj është zgjedhur pikërisht Kosova vendi ku tashmë po organizohet kjo mbrëmje gala.
Gazetarja e Klanit poashtu bëri të ditur se organizatorët kanë shprehur mirënjohje për Kosovën, duke vlerësuar mundësitë që u janë ofruar pjesëtarëve të komunitetit turk.
Sipas tyre, zgjedhja e Kosovës për mbajtjen e këtij organizimi është një mënyrë për të shprehur vlerësimin e tyre ndaj vendit dhe për të bashkuar artistë nga Turqia e Kosova në një mbrëmje të përbashkët kulturore.

