Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Filiz Mustafa, i është përgjigjur reagimit të Partisë Unike Gorane (JGP), e cila i kishte kërkuar të paraqiste prova për deklaratat e tij lidhur me një aktivitet të organizuar nga kjo parti ose t’i tërhiqte ato dhe të kërkonte falje publike.
Mustafa ka kundërshtuar pretendimin e JGP-së se aktiviteti në fjalë ishte kuvend zgjedhor dhe jo tubim mobilizues, duke ngritur pyetje për diskutimet që, sipas tij, lidhen me organizimin e transportit për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.
“Çfarë i ka shërbyer Kuvendit Zgjedhor diskutimi i mobilizimit për organizimin e transportit për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi?”, ka pyetur Mustafa në reagimin e tij.
Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për atë që e ka quajtur “Komisioni Komunal i Zgjedhjeve”, të cilit, sipas tij, i referohet Gora, duke kërkuar të sqarohet se kush e drejton këtë strukturë dhe si ndahen detyrat për mobilizimin në mbështetje të partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Deputeti i LVV-së ka akuzuar JGP-në se, sipas tij, përdor flamurin e Kosovës për qëllime simbolike, ndërsa orientimin politik e ka cilësuar si të afërt me politikat e Vuçiqit.
“Ju nuk mund të fshiheni pas flamurit të Kosovës që e përdorni sa për fotografi e me orientimin tuaj politik të jeni zgjatim i Vuçiqit në Kosovë. Kjo nuk kalon. Tek unë jo, tek subjekti që unë i takoj jo”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të pajtohet me një qasje të tillë politike, ndërsa ka reaguar edhe ndaj paralajmërimit të JGP-së për mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore.
“Sa për padi, e mirëpres”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se, sipas tij, para një veprimi të tillë duhet të njihet Republika e Kosovës si shtet i plotë dhe të mos funksionohet përmes strukturave paralele të Serbisë.
Reagimi i Mustafës vjen pasi JGP-ja i kishte cilësuar deklaratat e tij si të pavërteta dhe manipuluese, duke këmbëngulur se aktiviteti ishte organizuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Partia kishte kërkuar prova për akuzat ose tërheqjen e tyre dhe kishte paralajmëruar mundësinë e veprimeve ligjore pranë institucioneve kompetente./Telegrafi.

