KORREKT / SOT29 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Musliu: Nëse nuk kërkojmë llogari kur humbet një jetë, atëherë kur duhet ta kërkojmë?

Musliu: Nëse nuk kërkojmë llogari kur humbet një jetë, atëherë kur duhet ta kërkojmë?

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka deklaruar se vrasja e Arlinda Zekajt nuk është vetëm një tragjedi familjare, por dëshmi e dështimit të sistemit institucional në Kosovë.

Duke folur nga foltorja në seancën plenare, Musliu ka kritikuar institucionet për mënyrën se si trajtohet dhuna ndaj grave, duke theksuar paradoksin mes kornizës ligjore dhe zbatimit të saj në praktikë.

“Vrasja e Arlinda Zekajt nuk është vetëm një tragjedi familjare, ajo është dëshmia më e dhimbshme e dështimit të sistemit tonë. Kosova sot po jeton përballë një paradoksi të rëndë juridik. Kemi një Kushtetutë që përfshin drejtpërdrejt Konventën e Stambollit, por kemi zbrazëti praktike”, ka thënë Musliu.

Ajo ka ngritur edhe çështjen e llogaridhënies institucionale, duke përmendur kërkesën e saj që drejtori i Policisë të ftohet në Komisionin për Çështje të Sigurisë për të raportuar lidhur me rastin.

“Të martën kërkova që drejtori i Policisë të ftohet në Komisionin për Çështje të Sigurisë për të raportuar lidhur me këtë rast, por anëtarët e Vetëvendosjes votuan kundër”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.

Musliu ka vënë në pikëpyetje mungesën e llogaridhënies kur humbet një jetë, duke theksuar se kërkimi i përgjegjësisë nuk nënkupton shpalljen e dikujt fajtor pa hetim, por kërkesën për transparencë dhe sqarim të veprimeve institucionale.

“Unë pyes sot para jush: nëse nuk kërkojmë llogari kur dikush humb jetën, atëherë kur duhet të kërkojmë llogari? Të kërkosh llogari nuk do të thotë ta shpallësh fajtor dikë pa hetim. Do të thotë të kërkosh transparencë, përgjigje dhe përgjegjësi për çdo veprim apo mosveprim që mund të ketë ndikuar në këtë fatalitet”, ka thënë ajo.

Në fjalën e saj, Musliu ka theksuar se dhuna ndaj grave nis shumë përpara se të ndodhë sulmi fizik, duke përmendur kontrollin dhe presionin që shpesh normalizohen brenda marrëdhënieve familjare.

“Dhuna ndaj grave fillon shumë më herët se goditja e parë. Ajo fillon kur kontrolli quhet kujdes, kur gruaja duhet të durojë për hir të familjes”, ka deklaruar Musliu. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.