Ndikimi i fitores të së djathtës ekstreme në zgjedhjet rajonale në landin gjerman të Saksoni-Anhaltit është ndjerë përtej kufijve të Gjermanisë.
Figura të së djathtës politike kanë reaguar me entuziazëm në rrjete sociale.
Elon Musk, i cili prej kohësh mbështet AfD-në, e ka uruar partinë në gjuhën gjermane.
“Bravo”, shkroi ai në X.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Rupert Lowe, lider i grupimit të së djathtës ekstreme Restore Britain, e cilësoi fitoren e “miqve në AfD” si “një frymëzim” për atë që partia e tij mund të arrijë.
Ndërkohë, qeveritë e vendeve fqinje reaguan me shqetësim.
Kryeministri polak Donald Tusk iu referua mbështetësve të së djathtës ekstreme në vendin e tij: “Në Poloni, vetëm idiotët ose tradhtarët mund të gëzohen për triumfin e AfD-së në Gjermani”.
Edhe ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, e cilësoi fitoren e AfD-së si “një moment të rëndë për Evropën”.
“Nacionalizmi dhe ksenofobia nuk do të jenë kurrë zgjidhje”, tha ai.
Haddad shtoi se duhet të vazhdojë mbrojtja e vlerave demokratike dhe e projektit evropian, duke theksuar: “Nuk mund ta harrojmë historinë tonë. Ky është kuptimi i zgjedhjeve të bëra nga Franca dhe Gjermania”.