SpaceX, kompania e Elon Musk, ka njoftuar një nga projektet më ambicioze në historinë e saj: ndërtimin e një baze gjigante lëshimesh në shtetin amerikan të Luizianës, me një investim të parashikuar prej 100 miliardë dollarësh.
Projekti, i quajtur “Starbase, Louisiana”, pritet të nisë ndërtimin vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet në rreth 125 mijë hektarë, transmeton Telegrafi.
Sipas SpaceX, baza do të jetë në gjendje të mbështesë mijëra fluturime të anijes Starship çdo vit, me misione drejt orbitës së Tokës, Hënës, Marsit dhe më tej.
Fluturimi i parë i Starship nga baza e re është planifikuar për vitin 2029.
Projekti pritet të sjellë më shumë se 3 mijë vende të reja pune direkte, ndërsa autoritetet e Luizianës vlerësojnë se mund të krijohen edhe mbi 8 mijë vende pune indirekte.
Kjo do ta shndërronte Luizianën në një nga qendrat më të rëndësishme të industrisë hapësinore amerikane.
Baza e re vjen në një moment kur Musk po zgjeron me shpejtësi aktivitetet e tij në hapësirë, inteligjencë artificiale dhe robotikë.
SpaceX synon që në vitet e ardhshme të rrisë ndjeshëm numrin e lëshimeve dhe të përdorë Starship për misione gjithnjë e më ambicioze, përfshirë eksplorimin e Marsit.
Ky projekt është vetëm një pjesë e planeve të mëdha të Musk. SpaceX dhe Tesla kanë njoftuar gjithashtu një investim prej 16.8 miliardë dollarësh në Teksas për ndërtimin e një kompleksi të prodhimit të çipave të avancuar për inteligjencën artificiale.
Me këto projekte, Musk po synon ta shndërrojë SpaceX nga një kompani raketash në një prej aktorëve kryesorë të teknologjisë dhe industrisë hapësinore globale. /Telegrafi/
