Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me çështjen e mbeturinave në Prishtinë, pas akuzave të vazhdueshme të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, për bllokim të projektit nga ana e tij dhe e institucioneve qendrore.
Në një konferencë për media, Murati ka thënë se çështja e Kompanisë së Pastrimit lidhet me kërkesat e financuesit të projektit, KFW-së gjermane dhe Qeverisë gjermane, të cilat, sipas tij, kërkojnë që kompania të ketë parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri në funksionimin e saj.
Ai ka akuzuar Komunën e Prishtinës se fillimisht kishte tentuar t’ia hiqte kompetencat Kompanisë së Pastrimit përmes një tenderi për kompani private, ndërsa pas pamundësisë për ta realizuar këtë, kishte synuar themelimin e një kompanie të re.
“Çështja e mbeturinave tek Kompania e Pastrimit ka të bëjë edhe me faktin që financuesi në këtë rast, KFW gjermane, Qeveria gjermane, kërkon që të ketë parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri të kompanisë. Dhe ju e dini që deklarimi i kryetarit të Komunës, në fakt edhe veprimet, fillimisht ka qenë që të shpallet një tender për kompani private, pra, t’i hiqet kompetenca e Kompanisë së Pastrimit, pra, të lihet pa të hyra, dhe pastaj kur kjo u ndalua dhe s’mujtën me bë këto, thanë po e themelojmë një kompani të re, pra, po e shohim këtë insistuese. Dhe normalisht që shuarja e kompanisë ekzistuese pamundëson zbatimin e projektit që mbështetet nga Qeveria gjermane dhe nga KFW gjermane”, ka deklaruar Murati.
Kreu i Financave ka mohuar se pengesat për realizimin e projektit vijnë nga Ministria që ai drejton apo nga financuesi gjerman, duke ia atribuuar përgjegjësinë Komunës së Prishtinës.
“Pra, nuk është problemi as te Ministria e Financave, as te financuesi në këtë rast KFW, problemi është tek Komuna e Prishtinës, që siç edhe e shihni, qasja e tyre ndaj ndërmarrjeve publike është degraduese. Pra, të gjitha ndërmarrjet publike, nëse kanë qenë duke u operuar me fitim dhe në kushte të mira para shtatë vjetëve, kësaj qeverisjeje, po e theksoj te Përparim Rama, tashmë i shihni që kanë degraduar. Dhe e njëjta gjë, pra, mund të thuhet për të gjitha ndërmarrjet publike”, ka thënë ministri.
Murati ka përmendur edhe rastin e Termokosit, duke thënë se Qeveria ka siguruar 80 milionë euro financim për projektet e kësaj ndërmarrjeje në Prishtinë, por sipas tij, deri më tani nuk ka pasur përparim në realizimin e projektit.
Ai ka përdorur këtë rast për të kundërshtuar pretendimet se Komuna e Prishtinës nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme financiare nga niveli qendror.
“Pra, problemi i bashkëpunimit nuk qëndronte te fakti i mosmbështetjes nga Qeveria. Siç e dini, për Termokosin, për shembull, ne e kemi mbështetjen, i kemi siguruar para, 80 milionë euro financim për Komunën e Prishtinës, pra për Termokosin, por ku është ai projekt ende? Pra, ende nuk ka lëvizur. 80 milionë euro i kemi siguruar Komunës së Prishtinës, Termokosit, projekti ende nuk ka lëvizur. Pse? Pyeteni kryetarin e Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Murati.

