Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vehbi Mujku, ka deklaruar se në rastin e Arlinda Zekajt kanë dështuar hallkat kryesore të shtetit.
Në emisionin "Rubikon" të Klan Kosovës, ai ka thënë se në këtë rast neglizhencë ka pasur në secilën instancë.
Ai ka treguar disa prej arsyeve që ndodh kjo neglizhencë, nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme.
“Ka neglizhencë në secilin institucion. Diku ka neglizhencë për shkak të mungesës së punëtorëve, diku tjetër për shkak se nuk dinë ta kryejnë punën si duhet për shkak të mungesës së përgatitjes profesionale.”, ka thënë ai.
Mujku ka shtuar se është absurd vendimi i gjykatës për dy metra distancë, ndërmjet viktimës dhe të dyshuarit për dhunë në familje.
“Nuk po mundem me besu, kur po dëgjoj kur po thonë se e kam afruar deri të shtëpia dhe e kam lënë aty për ta takuar djalin. Djalin duhet me taku në institucione përkatëse, jo tek shtëpia. Kjo është aburditet, vendimi për distancën dy metra, është diçka jologjike. As nuk ka pasur hallkë të vendosur, sepse kur ka rrezik potencial duhet të vendosen hallkat.”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka shtuar se një prej problemeve tjera është se edhe vendimet e gjykatave nuk po zbatohen në këto raste në Kosovë.
Derisa, sipas tij, problem mbetet besimi tashmë në institucione, kur kihet parasysh një numër i madh i zyrtarëve që duket se kanë gabuar, ose kanë dështuar në kryerjen e detyrave të tyre.
“Për neve është trishtim qysh me ju drejtuar më sistemi të drejtësisë, ose policisë, kur tash i kemi 11 policë të suspenduar, do të thotë 11 policë kanë dështuar.”, ka thënë ai. /Klankosova.tv

