Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka nënshkruar vendimin për vendosjen e sistemit të detyrueshëm të raportimit digjital në sektorin e qumështit.
Sipas një njoftimi për media thuhet se me këtë rast, Muja ka treguar se vendimi është marrë në mbështetje të Ligjit për Ushqim dhe në kuadër të kompetencave për garantimin e sigurisë ushqimore, transparencës dhe gjurmueshmërisë në treg.
“Sipas këtij vendimi, qumështoret, pikat grumbulluese, përpunuesit dhe importuesit obligohen të raportojnë në mënyrë digjitale të dhëna mbi grumbullimin, prodhimin, stoqet, importet, si dhe përdorimin e qumështit pluhur dhe yndyrave bimore në produktet ushqimore”, ka thënë ai.
Përmes këtij sistemi të ri, ai bëri të ditur se synojnë të rrisin transparencën në treg, të përmirësojnë gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore dhe të forcojë bashkëpunimin institucional ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Doganës së Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante.
Ky vendim, sipas Ministrit konsiderohet hap i rëndësishëm në mbrojtjen e konsumatorëve, mbështetjen e fermerëve vendorë dhe zhvillimin e një tregu më transparent, të drejtë dhe të kontrolluar në sektorin e qumështit në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/