MPB-ja dhe FBI-ja kanë realizuar një operacion të përbashkët kundër krimit kibernetik, duke zbuluar administratorin e platformës ilegale “OLVX“, përmes së cilës shiteshin të dhëna personale të vjedhura, kredenciale për qasje dhe mjete për kryerjen e veprave penale kompjuterike.
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër E.A. (20), nga fshati Reçicë e Madhe, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale „mashtrim kompjuterik“, „keqpërdorim i të dhënave personale“ dhe „prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve“.
Sipas MPB-së, aksioni është zhvilluar pas informacioneve fillestare të siguruara nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), të cilat çuan në një hetim të përbashkët dhe të koordinuar për zbulimin e aktiviteteve kriminale që zhvilloheshin përmes tregut ilegal online „OLVX“.
Provat e siguruara tregojnë se i dyshuari, gjatë periudhës 2023–2025, ka administruar domene dhe faqe interneti të lidhura me platformën, e cila shërbente si treg ilegal për shitjen e të dhënave të vjedhura, mjeteve softuerike dhe shërbimeve të destinuara për kryerjen e krimeve kibernetike.
Platforma përdorej kryesisht nga persona të përfshirë në krimin kibernetik, të cilët blinin dhe shisnin të dhëna personale dhe kredenciale për qasje në llogari të përdoruesve dhe rrjete kompjuterike të viktimave. Gjatë funksionimit të saj, në këtë treg ilegal ishin ofruar mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se, gjatë periudhës 2025–2026, i dyshuari ka administruar një grup ilegal online me emrin „ONEMILI“ në aplikacionin „Telegram“. Përmes këtij grupi ofroheshin shërbime dhe mjete softuerike për kryerjen e krimeve kompjuterike, përfshirë mashtrime që lidhen me kthimin e paligjshëm të mjeteve financiare.
Sipas autoriteteve, janë siguruar edhe prova se i dyshuari, përmes aplikacionit „Telegram“, ka siguruar dhe poseduar për përdorim personal materiale që përmbajnë keqpërdorim seksual të fëmijëve.
Ky është operacioni i parë i përbashkët dhe i koordinuar në fushën e krimit kibernetik ndërmjet MPB-së dhe FBI-së, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për luftimin e krimit të organizuar kompjuterik.
Nga MPB-ja theksojnë se, përmes Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale, do të vazhdojnë angazhimet për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve në hapësirën digjitale.
Bashkëpunimi me FBI-në, sipas ministrisë, dëshmon rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik transnacional dhe përcjell mesazhin se hapësira digjitale nuk mund të shërbejë si strehë për aktivitete kriminale.

