Jose Mourinho është i vendosur të punojë nga afër me Arda Gulerin dhe ka përgatitur një plan të veçantë për zhvillimin e talentit turk para sezonit 2026/27.
Mesfushori 21-vjeçar është rikthyer në stërvitjet parasezonale të Real Madridit pas përfundimit të Kupës së Botës, duke u bërë lojtari i parë nga futbollistët që morën pjesë në turneun botëror që i është bashkuar skuadrës së drejtuar nga Mourinho.
Guler rifilloi stërvitjet të hënën në qendrën stërvitore të Valdebebas, pasi përfundoi pushimin e shkurtër pas Botërorit.
Sipas raportimit, Mourinho ka qenë prej kohësh admirues i reprezentuesit turk.
Madje, gjatë kohës kur drejtonte Fenerbahçen, ai kishte tentuar ta transferonte Gulerin në formë huazimi, para se ky të transferohej te Real Madridi.
Tashmë, trajneri portugez synon të punojë ngushtë me të për ta ndihmuar të shfrytëzojë plotësisht potencialin e tij dhe të bëhet një nga lojtarët kyç në “Santiago Bernabeu”.
Megjithatë, rruga drejt një vendi në formacion nuk pritet të jetë e lehtë. Ardhja e Bernardo Silvës ka rritur konkurrencën në repartin ofensiv, ndërsa në skemën e preferuar 4-2-3-1 të Mourinhos, të dy futbollistët pritet të rivalizojnë për rolin e mesfushorit ofensiv ose për pozitën në krahun e djathtë.
Guler zhvilloi një sezon shumë pozitiv me fanellën e Real Madridit, duke regjistruar plot 14 asistime, ndërsa tetë prej tyre u shndërruan në gola nga Kylian Mbappe, statistikë që dëshmon ndikimin e tij në fazën sulmuese. /Telegrafi/
